Bojkotit të futbollit po shkon ndoshta drejt fundit. Këtë të enjte, presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit dhe i Fidel Ylli, personi i deleguar nga qeveria për të diskutuar mbi këtë çështje, patën një takim në zyrat e ministrisë së finanncave ku diskutuan pikërisht mbi mundësinë e rinisjes së futbollit dhe gjetjes së një zgjidhje mes palëve, të paktën kjo u kuptua dhë në fjalët e Fidel Yllit në prononcimin për mediat pas përfundimit të këtij takimi.

“Sot kishim rënë dakord me Ligën, për të bërë një takim me ministren e financave dhe një grup serioz nga qeveria. Pati debate dhe jemi në rrugën e duhur, jo që të zgjidhim problemet e futbollit, por të gjithë sportit shqiptar. Qeveria dhe ministria kanë qenë gjithmonë të gatshme, që të ketë mundësi për zgjidhjen e kërkesave. Megjithatë, ka qenë Liga që me anë të bojkotit e ka acaruar situatën deri në këtë gjendje. Tani është zbutur.Mendoj që shumë shpejt do të kemi zgjidhjen. Bojkoti është në dorën e tyre, ne nuk detyrojmë asnjë për bojkotin. Bisedat sot kanë qenë shumë të frytshme dhe do kemi zgjidhje“.

Ndërkohë që përfaqësuesi i Ligës, presidenti i saj Edvin Libohova, sqaroi se në takim është hedhur një propozim nga ana e futbollit dhe tani pritet kundërpropozimi i qeverisë, por synimi kryesor mbetet ligji për sponsorizimin dhe nëse jepet zgjidhja në këtë pikë, për pjesën tjetër mund të gjehet gjuha e përbashkët.

“E rëndësishme është që u ulëm në tavolinë dhe filluam të diskutojmë kërkesat tona. Sigurisht unë e kam thënë edhe në intervistat e tjera që e ndajmë problemin në dy pjesë: Nga 4 kërkesat që ne kemi, sepse futbolli dhe sport mund të kenë edhe 44 kërkesa të tjera, 3 janë më specifike dhe më të diskutueshme e të kalueshme. Ajo që është “Thembra e Akilit” dhe gjëja kryesore është Ligji i Sponsorizimit. Sa i takon Ligjit të Sponsorizimit, ai aktuali ne e dimë që nuk funksionon. Kemi bërë ne një propozim, ndërkohë Ministria e Financave, së bashku me ekspertët po punon për të bërë një kundër-propozim tjetër për gjetur një zgjidhje.Këtë nuk mund ta them dot sot sepse jemi në diskutime. Është lënë takimi tjetër ditën e martë, për të diskutuar variantet. Kështu që do të vazhdojnë takimet deri sa të gjejmë një gjuhë të përbashkët, me shpresën që do e gjejmë”.

Libohova theksoi se të hënën do të ketë një takim me presidentët e klubeve ku do të vendoset për bojkotin ose fillimin e garës ndërsa të martën e ardhshme përfaqësuesi i shtetit dhe liga do të ulen sërish në bisedime.

Top Channel