Në Kosovë u konfirmuan të mërkurën edhe 80 raste të reja me koronavirus dhe një viktimë. Rastet e fundit rezultuan nga testimi i 650 mostrave. 24 orët e fundit ndërkohë janë shëruar 55 pacientë nga koronavirusi.
Bilanci ditor u prezantua nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, në një konferencë për shtyp, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah hoti dhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Hoti paralajmëroi se Kosova do të shtrëngojë masat anti covid javët në vijim nëse do të vijojë tendenca e rritjes së rasteve pozitive.
Sipas tij, ekziston rreziku real që në javët në vijim kosova të ketë të njëjtën situatë eoidemiologjike si edhe disa vende të bashkimit evropian dhe rajonit, që aktualisht po përballen me shifra shumë të larta.
“Ne kemi filluar të rrethohemi prej vendeve me numër shumë të lartë të të prekurve. Këtu te ne sapo ka filluar të rritet numri, andaj rreziku është real që pas dy tre javësh ne të detyrohemi, në rast se shkon në këtë trend, që të marrim masa që janë më ekstreme”, tha Hoti.
Sipas Hotit, rritja e rasteve pozitive po vjen nga restorantet dhe institucionet publike.
Ministri i Shëndetësisë ndërkohë tha se nuk duhet lejuar që situata të dalë jashtë kontrollit për shkak të papërgjegjshmërisë së disa bizneseve.
“Situata për asnjë moment s’duhet të na rrëshqasë nga kontrolli nga papërgjegjësia e disa bizneseve të ndryshme, gastronomëve, individëve, të cilët edhe kur liruam masat e kishim një pakt që masat do të respektohen, do të zbatohen dhe do ta parandalojmë të gjithë përhapjen e infeksionin”, tha Zemaj.
Top Channel