Gjermania dhe Spanja në aksion, Gianni De Biasi kërkon fatin në “Elbasan Arena”

13/10/2020 10:08

Rikthehen këtë mbrëmje (pas një dite pa ndeshje) sfidat e Nations League. Në orën 20:45 do të zhvillohen dy takime mjaft interesante që i përkasin Grupit 4 të Divizionit A: Gjermani-Zvicër dhe Ukrainë-Spanjë. Kuptohet, nga rezultatet e tri raundeve të para që për kreun do të jetë një duel i ashpër mes Spanjës dhe Gjermanisë, që kryesojnë grupin (spanjollët kanë dy pikë më shumë). Sipas të gjitha gjasave, fituesi do të përcaktohet në përplasjen direkte mes dy gjigantëve të futbollit europian në Spanjë.

Takimi mes Gjermanisë dhe Zvicrës do të zhvillohet në “RheinEnergieStadion” të Këlnit, me helvetët që kanë shanse minimale për të arritur vendin e parë në grup. Aq më tepër që në 6 takimet e fundit në transfertë, Zvicra ka fituar vetëm në një rast, përballë modestëve të Gjibraltarit (1-6), ndërsa suksesi i fundit i tyre në Gjermani (Perëndimore) daton në vitin e largët 1956.

Më shumë rivalitet pritet edhe sfida e Kievit mes Ukrainës dhe Spanjës. Përfaqësuesja e drejtuar nga Andriy Shevchenko, megjithëse u mposht nga Gjermania më 10 tetor, Ukraina ka humbur vetëm 1 nga 11 ndeshjet e fundit shtëpiake, ndërsa “La Roja” disfatën e fundit jashtë e ka pësuar në fushën e Kroacisë, në Nations League, dy vite më parë (3-2).

Në fakt, ndeshja e parë e ditës  është ajo e orës 18:00, mes Azerbaixhanit dhe Qipros, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” (për shkak të konfliktit mes Azerbaixhanit dhe Armenisë për Nogorni-Karabak). Giani De Biassi, trajner i azerëve, rikthehet në stadiumin ku nën drejtimin e Shqipërisë zhvilloi disa nga ndeshjet historike të kuqezinjve në rrugëtimin drejt finaleve të “Euro 2016”, që shënon pjesëmarrjen e parë dhe të vetme të Shqipërisë në një event madhor të futbollit.

Top Channel