Operacioni “ik se të kapa”/ Policia e Tiranës, demonstrim force në rrugë pa rezultat

12/10/2020 15:26

Në Tiranë se fundmi shikon shumë postblloqe policie. Veçanërisht ato u shtuan shumë pas atentatit me tritol në një makinë ku mbeti i plagosur, Preng Gjini.

Këta policë dalin në rrugë, për të krijuar idenë se po luftohet krimi. Ky është një vendim i marrë nga Drejtori i Tiranës, Rebani Jaupi. Deri tani nga këto postblloqe nuk është kapur asnjë nga organizatorët e atentatit, persona të kërkuar apo nuk është ndaluar asnjë krim. Të paktën policia e shtetit nuk ka treguar asnjë rast të tillë. Ky aksion me praninë e kaq shumë policëve në rrugët e Tiranës, , mund të kodohet me emrin ik se të kapa.

Ajo çfarë po arrihet me këto postblloqe apo edhe aksione të tjera të policisë, janë kontrolle automjetesh, lokale apo banesa, ku ka pasur dyshime për fshehje të lëndëve narkotike, apo armëmbajtje pa leje. Askush prej atyre që ka rënë në pranga nuk lidhet me ngjarje të rënda kriminale, por janë arrestuar për drogë, apo qoftë edhe për drejtimin e makinës në gjendje të dehur.

Për të mos harruar, që janë shoqëruar në komisariatet e Tiranës, persona që nuk kanë pasur mjet identifikimi me vete, kur janë ndaluar nga postblloqet.

Këto postblloqe kanë dalë nëpër rrugë, për një detyrë shumë të rëndësishme të policisë, atë që quhet plani i masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, e thënë me thjeshtë, të vihen në pranga personat që kanë tendencë për krime kundër personit.

Por, deri tani asnjë persona me rrezikshmëri të lartë në shoqëri, apo pjesëtar të bandave të cilat kanë kryer krime në Tiranë, nuk është vënë përballe drejtësisë.

Shembulli më i fundit është atentati në qendër të Tiranës, ku Preng Gjinit, i vunë bombë në makinë duke e lënë të plagosur. Asnjë nga autorët e kësaj ngjarjeje që terrorizoi kryeqytetin nuk është sot pas hekurave, për të mos thënë që policia e Tiranës ka dështuar ta identifikojë.

Rezultatet e këtyre aksioneve, nën urdhrat e drejtorit të policisë së kryeqytetit Rebani Jaupi, janë duke prodhuar zero rezultat dhe pyetja që të gjithë shtrojnë është, a mund të luftohet krimi në këtë lloj forme?

Andi Bora

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA