Marrëdhëniet e Thomas Tuchel me drejtuesit e Paris Saint Germain janë përkeqësuar dhe kjo u konfirmua edhe nga deklaratat e Drejtorit Sportiv Leonardo, i cili “i tërhoqi veshin” publikisht teknikut gjerman, që nuk dihet nëse do të arrijë të mbyllë një tjetër sezon në “Parc Des Princes”.

Kohët e fundit është folur shpesh për një shkarkim të tij dhe emërim të Massimiliano Allegrit në pankinën e kryeqytetasve, por mediat franceze kanë zbuluar se Leonardo po përgatit një tjetër emër për stolin.

Bëhet fjalë për ish mesfushorin italo-brazilian Thiago Motta, i cili ka veshur fanellën e PSG-së edhe si futbollist gjatë sezoneve 2012-2018 dhe pikërisht në verën e 2018-ës mori besimin e klubit për të drejtuar skuadrën e të rinjve për një sezon.

Klubi i parë profesionist që drejtoi Motta, ishte Genoa në Serinë A, ku rezultatet nuk ishin ato të pritshmet, por siç u konfirmua deri në fund të sezonit, skuadra kuqeblu siguroi me vështirësi mbijetesën edhe pas ndryshimit në pankinë.

Këtë verë Motta mori edhe licencën për të drejtuar në nivelet maksimale të futbollit, teksa në testin e organizuar në Coverciano doli me rezultate të shkëlqyera, duke lënë pas edhe trajnerin aktual të Juventusit, Andrea Pirlo.

Pikërisht shembullin e bardhezinjvë këtë verë, apo Barcelonës e Realit më herët, që vendosën t’u besojnë pankinën ish futbollistëve të tyre, dëshiron të ndjekë edhe Paris Saint Germain me Mottën, të cilin e shikon si personin e duhur për të nisur një tjetër cikël fitues në “Parc des Princes”.

Top Channel