Vala e dytë e pandemisë/ Shifra rekord infektimesh në Europë dhe botë

11/10/2020 12:31

Evropa ka regjistruar të shtunën shifrën e dytë rekord radhazi të rasteve të reja të koronavirusit, sipas organizatës botërore të shëndetësisë.

Në 24 orë, infektimet ishin 123.684, rreth 8.3 për qind më shumë në krahasim me rekordin paraprak prej 114.227 rastesh të regjistruara të premten e kaluar. Sipas shifrave të OBSH, bilanci total i infektimeve në Evropë është deri më tani në kuotën 6809678.

Mbretëria e bashkuar ndërkohë ka arritur në atë që po konsiderohet pika pa kthim në pandeminë e koronavirusit. Situata është e ngjashme me atë të marsit dhe në javët e ardhshme, përveç shtimit të rasteve, do të ketë edhe shtim të viktimave. Ky është një paralajmërim i frikshëm që vjen nga profesori Jonathan van Tam, zëvendësdrejtor shëndetësor për Anglinë, i cituar nga BBC.

Për Van Tam, vjeshta bën që situata të rëndohet dhe vendi do të përballet me probleme para ardhjes së dimrit. Të hënën, kryeministri Boris Johnson pritet të shpallë kufizime më të ashpra.

Ai pritet të prezantojë planin për një sistem izolimesh lokale në tre faza, që mund të shohin çdo rajon të Anglisë të vendoset në një prej këtyre fazave, në varësi të rasteve. Ndërkohë edhe në shkallë globale është shënuar rekordi i tretë radhazi i infektimeve. OBSH tha se të shtunën u regjistruan 383359 raste të reja, 7.9 për qind më shumë krahasuar me rekordin e të premtes.

Të enjten e kaluar ishte shënuar një kulm i ri, me 343467 infektime. Sipas Johns Hopkins, bilanci ka shkuar tani në mbi 37 milionë raste, përfshirë edhe mbi 1 milionë viktimave.

Top Channel