Koreja e Veriut, asnjë rast me Covid, Kim Jong Un flet në paradën e përvitshme ushtarake

11/10/2020 12:36
Kim Jong Un

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka siguruar gjatë paradës së përvitshme ushtarake të mbajtur në Penian, se as edhe një rast i vetëm koronavirusi nuk është regjistruar në vendin e tij.

Më pas ai i ka uruar shëndet të mirë të gjithë njerëzve në botë që luftojnë kundër Covid 19 në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror. Parada u organizua me rastin e përvjetorit të 75 të themelimit të partisë së punës.

Këtë vit, festimet u mbajtën në një moment veçanërisht të komplikuar për vendin, i përfshirë nga vështirësitë ekonomike të lidhura me sanksionet amerikane për programin bërthamor, të cilave iu shtohen edhe pasojat e pandemisë. Për këtë qëllim, kim i ka kërkuar ndjesë popullatës: “Më vjen turp që nuk kam qenë në gjendje tjua shpërblej në mënyrën e duhur besimin tuaj.

Përpjekjet dhe devotshmëria ime nuk kanë qenë në gjendje ta nxjerrin popullin tonë nga vështirësitë”. Nuk pati në fjalim asnjë sulm për Uashingtonin, përkundrazi, urimi për të sëmurët me covid vjen pikërisht në momentin kur presidenti amerikan Trump u prek prej tij.

Mesazhe paqeje edhe drejt Koresë së Jugut, me të cilën lideri shpreson të mund të kthehet të bisedojë sërish.

Parada ndërkohë ishte imponuese: mijëra ushtarë dhe mjete kanë parakaluar në rrugët e kryeqytetit të shoqëruar nga muzika e bandave frymore. Të gjithë, ushtarakë dhe spektatorë, nuk mbanin maska.

Kim e ndiqte paradën nga një platformë, me veshjen e tij zyrtare. Ai tha se armët bërthamore dhe forcimi i ushtrisë janë mekanizmat më të mira të mbrojtjes dhe zmbrapsjes së kërcënimeve nga armiqtë e jashtëm. Për të parën herë ndërkohë, asnjë i huaj nuk ishte ftuar në paradë.

Top Channel