Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar tri kërkesa për interpelancë me Avdullah Hotin.

Liqeni i Ujmanit, të pagjeturit dhe Asociacioni i Komunave Serbe janë tri tema me të cilat do të ballafaqohet kryeministri Hoti në Kuvendin e Kosovës.

Sipas një komunikate të lëshuar nga VV-ja thuhet se në fund të interpelancës do t’i propozojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e një Rezolute që mes tjerash ia ndalon çdo zyrtari publik e shtetëror kompetencën dhe autorizimin për të biseduar për rikthimin e kësaj çështje.

Kjo është komunikata e plotë e VV-së:

E para ka të bëjë me zotimin e Avdullah Hotit në Uashington për ta ndarë Liqenin e Ujmanit me Serbinë. Kjo është e paprecedentë dhe e rrezikshme ngase e përparon interesin e Serbisë për ta minuar sovranitetin e Republikës tonë, duke i dhënë asaj qasje në resurse tona ekonomike e strategjike. As Hoti, po as delegacioni i tij nuk kanë legjitimitetin për ta bërë këtë.

Ndërkaq, e dyta ka të bëjë me zotimin tjetër të tij në Uashington që kushtëzon zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit me ata që janë zhvendosur. Kjo përveç se është e dëmshme është edhe çnjerëzore.

Interpelanca e tretë ka të bëjë me deklaratat e Avdullah Hotit pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme ku tha se “do ta respektojë plotësisht marrëveshjen për ‘Zajednicën’.” Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë këtë plan të Serbisë, duke gjykuar se ajo shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 pika. Në fund të interpelancës Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e një Rezolute që mes tjerash ia ndalon çdo zyrtari publik e shtetëror kompetencën dhe autorizimin për të biseduar për rikthimin e kësaj çështje.

Top Channel