Roland Garros/ Akti final luhet mes Nadal dhe Djokoviç, Rafa synon rekordin e Federer

10/10/2020 16:29

Për herë të tretë në histori finalja e turneut në “Roland Garros” do të luhet ndërmjet dy tenistëve Rafael Nadal dhe Novak Djokoviç. Dy tenistët favoritë respektuan parashikimet në fazën gjysmëfinale dhe tani do të përballen pikërisht në takimin përmbyllës, me synimin për të kërkuar rekorde të reja në karrierën e tyre.

“Mbreti i fushave me dhe” natyrisht konsiderohet favorit, teksa paraqitet për herë të 13 në karrierë në një finale, në fushën qendrore në “Philippe Chatrier”. Rafa ka fituar 12 nga 12 finalet e luajtura në dheun e kuq të Parisit, sidoqoftë nëse ia del mbanë për të kaluar numrin 1 të botës Novak Djokoviç në pengesën e fundit atëherë tenisti spanjoll do të barazohet me të madhin Roger Federer, me plot 20 tituj të fituar në turnetë e mëdhenj të Grand Slam-it.

Në 13 turnetë e fundit Slam që janë zhvilluar 34-vjeçari nga Majorka ka fituar 5 trofe, praktikisht po aq sa edhe tenisti nga Serbia, që nuk është mposhtur nga askush gjatë këtij sezoni. Nole ka fituar 5 tituj të mëdhenj në 8 turnetë e fundit Slam, madje në US Open u skualifikua vetëm pasi goditi me top në mënyrë të pavullnetshme gjyqtaren e vijës. Rregullat janë njësoj për të gjithë dhe tenisti nga Serbia nuk është as i pari dhe as i fundit që e pëson në rrethana të tilla.

Megjithatë thellë në vetvete Djokoviç-i është i ndërgjegjshëm që në “Flushing Meadows” ishte ai favoriti absolut për të fituar një tjetër trofe të rëndësishëm, duke ngushtuar akoma më shumë diferencën me dyshen Federer – Nadal, gjithsesi nëse triumfon në “Roland Garros” Nole do të bëhej tenisti i parë në histori që ia del mbanë për të fituar minimalisht dy herë çdo turne të Grand Slam-it.

Tenisti spanjoll ka fituar 3 edicionet e fundit në “Roland Garros” dhe në mënyrë të kuptueshme të gjithë fazën përgatitore Rafa e përshtati në funksion të Turneut të madh të Francës, ku “mbreti i fushave me dhe” e ka fituar plot 12 herë “Kupën e Muskëtierëve”. Përveçse i çlodhur, Nadali përfitoi në maksimum gjithashtu edhe nga shorti tepër i lehtë, gjithsesi ndaj numrit 14 të klasifikimit të përgjithshëm ATP veterani iberik nuk i la asgjë rastësisë.

Game i parë krijoi një përshtypje të rreme, pasi zgjati afërsisht çerek ore dhe në të Schwartzman shpërdoroi dy mundësi për break. Në fakt tenisti argjentinas që ditën e hënë do ta gjejë veten për herë të parë në karrierë mes 10 më të mirëve të botës ia doli mbanë për ta thyer tre herë në servis Nadalin, megjithatë kampioni në fuqi u duk vërtet i qetë dhe i freskët, duke e administruar në perfeksion situatën. Edhe në setin e tretë, që ishte seti më i gjatë i ndeshjes, fituesi i 19 trofeve Slam në karrierë kontrolloi më së miri çdo tentativë të kundërshtarit, duke fituar 7-0 në tie break, për të mbyllur gjithë takimin me rezultatin 6-3, 6-3, 7-6, në diçka më tepër se tre orë lojë.

Në gjysmëfinalen e dytë numri 1 i botës Novak Djokoviç vuajti vërtet shumë dhe rrezikoi ndjeshëm, pasi shpërdoroi fillimisht një mundësi për të mbyllur ndeshjen në vetëm tre sete. Këtë herë Nole për pak sa nuk e pësoi nga besimi i tepërt. Stefanos Tsitsipas kishte fituar 3 nga 6 sfidat e mëparshme ndërmjet tyre, por 22-vjeçari nga Athina gjithsesi kishte humbur përballjen e vetme mes tyre në fushat me dhe, 17 muaj më parë në finalen e Mastersit të Madridit, për më tepër në vetëm dy sete.

Numri 6 i botës e filloi shkëlqyeshëm takimin duke krijuar plot 4 mundësi për break, sidoqoftë Nole u mbrojt mirë duke zmbrapsur cdo sulm të tenistit grek. 22-vjeçari helen shpërdoroi pa fund në dy setet e para dhe Djokoviç-i përfitoi në maksimum nga nervozizmi i kundërshtarit të tij. Në setin e tretë pasi e theu Tsitsipas-in në servis në game-n e nëntë, në shifrat 5-4 33-vjecari nga Serbia shpërdoroi një mundësi për të mbyllur takimin në vetëm tre sete dhe që nga ai moment u duk sikur gjithçka u kthye përmbys.

Tenisti grek ia doli më në fund për t’i rrëmbyer shërbimet numrit 1 të botës në tentativën e tij të 11 dhe Tsitsipas hapi llogaritë, duke marrë edhe tre game-t e fundit të setit të tretë. Në setin pasardhës tenisti helen humbi shpejt epërsinë e një game me break, megjithatë numri 6 i botës përfitoi nga nervozizmi Djokoviç-it, që gaboi në game-n e dhjetë, pikërisht në momentin kur po shërbente për të qëndruar në këtë set.

Edhe setin final Tsitsipas e nisi vërtet shumë mirë duke marrë kryesimin për herë të parë në ndeshje, gjithsesi tenisti i ri helen e teproi, duke tentuar t’i japë fund kundërshtarit me “drop shot”, lloj goditje që në fund rezultoi edhe fatale për të, pasi tenisti nga Serbia fitoi radhazi edhe 6 game-t e fundit të ndeshjes, për të mbyllur krejt takimin me rezultatin 6-3, 6-2, 5-7, 4-6, 6-1 duel që zgjati katër orë gjithsej. Kështu pas Melburnit, Dubait, finales së Mastersit Western & Southern Open në New York si dhe Mastersit të Romës Novak Djokovic siguroi finalen e pestë të sezonit në singles, sepse sic dihet në lojën ekipore Nole triumfoi gjithashtu në mesin e muajit janar edhe në ATP Cup, duke mundur në finale Spanjën e Rafës.

Për Djokoviç-in kjo është finalja e katërt në karrierë në “Roland Garros”, turne të cilin 33-vjeçari e ka fituar vetëm një herë në vitin 2016, kur mposhti në finale britanikun Andy Murray në katër sete, duke i përmbysur skocezit avantazhin e setit hapës. Për hir të së vërtetës atë vit Nadali u tërhoq në turin e tretë për arsye dëmtimi, sidoqoftë veterani spanjoll ka fituar në dheun e kuq të Parisit plot 5 nga 6 sfidat ndërmjet tyre, tre herë në gjysmëfinale dhe dy herë në takimin final.

Të vetmin sukses në përballjet ndërmjet tyre Djokoviç e ka regjistruar në vitin 2015, në fazën çerekfinale, vit kur Nole pavarësisht se fitoi setin e parë përsëri u mund në finale nga zvicerani Stan Wawrinka, në katër sete. Kjo është sfida e 56 mes këtyre dy tenistëve dhe pas 52 ndeshjeve të para gjithçka ishte në ekuilibër, megjithatë Nole ka fituar 3 nga 4 përballjet e tyre të fundit dhe tani kryeson 29-26 bilancin e përgjithshëm, ndërsa përplasjen e tyre të fundit në fushat me dhe e ka fituar Rafa, në finalen e Mastersit të Romës 17 muaj më parë, me rezultatin 6-0, 4-6, 6-1.

Top Channel