Azerbajxhani dhe Armenia sot ranë dakord për një armëpushim që do të fillojë nga mesdita.

Armiqësitë do të ndërpriten në ora 12:00 për të lejuar shkëmbimin e të burgosurve dhe trupave të të vdekurve në Malësinë e Karabakut.

Të premten u mbajt një takim trepalësh midis Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë në Moskë me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, ministrin e jashtëm të Azerbajxhanit Jeyhun Bayramov dhe ministrin e Jashtëm armen Zohrab Mnatsakanyan.

Luftimet filluan më 27 shtator, kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar viktima.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Rezoluta të shumta të OKB-së, si dhe organizatat ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Megjithatë, në vitin 1994 u arrit një armëpushim.

Shumë fuqi botërore, përfshirë Rusinë, Francën dhe SHBA, kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm.

Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Bakut për vetëmbrojtje dhe kërkon tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë./AA/

FOTO GALERI
1/11

Top Channel