Rekord i ri rastesh ditore të koronavirusit në nivel global: në 24 orët e fundit, sipas OBSH janë regjistruar të paktën 338779 raste, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë.

Evropa regjistron tani më shumë se 6.5 milionë raste të koronavirusit sipas organizatës botërore të shëndetësisë. Rastet po rriten thuajse në të gjitha vendet e kontinentit, me shifra shqetësuese që raportohen çdo ditë. Kancelarja Angela Merkel do të zhvillojë bisedime përmes lidhjes video me drejtuesit e 11 qyteteve më të mëdha të Gjermanisë pasi 4516 raste të reja koronavirusi u raportuan dhe 487 persona të tjerë u shtruan në repartet e kujdesit intensiv.

Zyrtarët cekë kanë raportuar 5394 infektime të reja, hera e tretë këtë javë që vendi sheh një shifër rekord që kur pandemia nisi. Më shumë se 100 viktima janë regjistruar këtë javë dhe ka një rritje të madhe në shtrimet në spital. Restorantet dhe pubet do të mbyllen në orën 20.00 duke filluar nga sot dhe palestrat, pishinat dhe kopshtet zoologjike do të mbyllin dyert.

Infektimet janë rritur shumë edhe në Holandë ku dhjetëra persona u arrestuan gjatë një proteste kundër masave anti-covid në Hagë. Në anën tjetër, qeveria franceze ka vendosur masa më të rrepta kontrolli në katër qytete të tjera Lion, Lilë, Grenoble dhe Saint Etienne që tani janë zona të rrezikut maksimal nga e shtuna. Baret dhe restorantet duhet të mbyllen sic ka ndodhur më herët në Paris dhe Marsejë. Franca regjistroi një rekord të ri së fundmi me 18129 raste të reja koronavirusi të raportuara një ditë më parë.

Qeveria spanjolle vendosi nën izolim të pjesshëm 4.78 milionë njerëz në Madrid të premten e kaluar por një gjykatë e rrëzoi atë duke intensifikuar përplasjen me liderët politikë të kryeqytetit. Italianët në anën duhet të mbajnë maska kudo dhe kurdoherë dhe ekspertët parashikojnë se pas dy muajsh, kur do të mbërrijë edhe gripi, mund të arrihet në 16 mijë raste të reja në një ditë. Ndërkohë edhe Ukraina, Polonia dhe Sllovakia kanë raportuar shifra rekord infektimesh ditore.

Top Channel