Mike Pence pati një vizitor jo të mirëpritur gjatë debatit të tij me demokraten Kamala Harris, pasi një mizë e madhe, u ndal mbi flokët e bardhë të zëvendëspresidentit për plot dy minuta, duke ndezur një pafundësi komentesh online.
Pence, po diskutonte për temën e nxehtë të padrejtësive raciale dhe reformës në polici, kur ndërhyrësi me flatra ia doli të kapërcente barrierat prej pleksiglasi që ishin vendosur për të penguar përhapjen e koronavirusit dhe u ndal mbi njeriun që është vetëm një rrahje zemre larg nga presidenca amerikane. Dhe atje, qëndroi për dy minuta tmerri.
Në një moment, në pamjet në televizione, shihej rivalja Harris, që ia kishte mbërthyer sytë Pence, ndërsa miza krekosej nën prozhektorë, por nuk u bë menjëherë e qartë nëse ajo e pa atë. Të gjithë të tjerët, ndërkohë, pa diskutim që e panë.
Media sociale, menjëherë e shpalli mizën fituese të debatit. “Dakord, ky ishte një debat i rëndësishëm, por askush nuk do të mbajë mend asgjë tjetër përveç asaj mize”, thotë një përdorues i twitterit.
“Ajo mizë qëndroi mbi flokët e Pence për një kohë të gjatë. Duhet të vendoset në karantinë – shkruante një tjetër.
E ndërsa në rrjet komentet ishin si një rrebesh, një llogari e re në twitter, @MikePenceFly___, mblodhi menjëherë mbi 60 mijë ndjekës.
Madje edhe vetë Biden hyri në aksion duke nisur një mbledhje fondesh për dramën e insektit. “Dhuroni 5 dollarë për të ndihmuar fushatën e kësaj mize”, shkroi në twitter i nominuari demokrat.
Top Channel