Djokovic-Tsitsipas, gjysmëfinalja e dytë e “Roland Garros”

08/10/2020 10:51

Përcaktohet kuadri i gjysmëfinaleve të “Roland Garros”. Pas Nadal dhe Schwartzman, dy gjysmëfinalistët e tjerë, të cilët do të përplasen mes tyre, janë Djokovic dhe Tsitsipas.

Tenisti serb kaloi 3-1 me sete Carreno-Busta, në një duel që e nisi keq, duke e humbur setin e parë 6-4, por që shumë shpejt e ktheu në favorin e tij, duke triumfuar në tri setet pasardhëse 6-2, 6-3, 6-4. ‘Nole’ u thye tri herë në shërbim në këtë përballje, dy herë në setin e parë, që i kushtuan humbjen, dhe në gemin e pestë të setit të tretë (gjithsesi e rikuperoi duke e thyer në shërbim dy herë kundërshtarin). Falë përvojës dhe qëndrueshmërisë fizike dhe psikologjike, nuk e pati shumë të vështirë për ta kthyer shpejt rrjedhën e ndeshjes.

Përmbushi pritshmëritë edhe Tsitsipas, që iu imponua në tri sete Rublevit, 7-5, 6-2, 6-3. Tenisti rus mundi të rezistonte vetëm në setin e parë, ku u thye në shërbim në gemin e 10-të dhe të 12-të, duke mos e shfrytëzuar faktin që kundërshtari grek gaboi në gemin e pesë (u thye në shërbim). Pjesa tjetër ishte e thjeshtë për Tsitsipas, që i fitoi të gjitha gemet me shërbimet e tij.

Top Channel