“Vendimi i dënimit të “Agimit të Artë” u dërgon një mesazh të qartë grupeve politike me axhenda agresive kundër emigrantëve dhe të drejtave të njeriut, në Greqi dhe në të gjithë Evropën, se aktiviteti i dhunshëm dhe racist kriminal, qoftë i kryer nga njerëz të rrugës, apo nga anëtarët e parlamentit, nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.

Kështu u shpreh përmes një deklarate Drejtori i Amnesty International për Evropën, Nils Muiznieks pasi një gjykatë në Athinë dënoi të mërkurën shtatë drejtues të partisë së ekstremit të djathtë “Agimi i Artë” si “përgjegjës për drejtimin e një organizate kriminale” dhe dha dënime për 11 ish-deputetë të tjerë të parlamentit “për pjesëmarrje në një organizatë kriminale”.

Mes anëtarëve të këshillit politik të “Agimit të Artë”, është udhëheqësi i tij Nikos Michaloliakos, i cili rrezikon të dënohet nga 5 deri në 15 vjet burg. Gjykata shpalli fajtor gjithashtu anëtarin e Agimit të Artë Giorgos Roupakias për vrasjen e këngëtarit antifashist Pavlos Fyssas, tre të pandehur të tjerë i gjeti fajtorë për vrasjen e mbetur në tentativë të peshkatarit egjiptian Abouzid Embarak, ndërsa katër të pandehur i shpalli fajtorë për dëmtime të rënda trupore kundër tre anëtarëve të sindikatës PAME.

Drejtori i Amnesty International për Evropën, Nils Muiznieks, tha se “vendimi historik i sotëm, është një njohje e kërcënimit sistemik që paraqitet për shoqëritë tona nga një grup i dhunshëm, racist dhe një angazhim që ky kërcënim nuk duhet të lejohet të vazhdojë”.

Drejtori i Amnesty International për Evropën u shpreh përmes deklaratës se “vendimi i sotëm është hapi i parë për të dhënë drejtësi për viktimat e krimeve të urrejtjes dhe sulmeve diskriminuese dhe duhet të shërbejë si një kujtesë e zymtë e rreziqeve të demonizimit dhe shkatërrimit të popullatave të tëra. Zoti Muiznieks e cilësoi vendimin e sotëm si një “moment historik” dhe shtoi:“Shpresojmë që ky vendim të shënojë një pikë kthese në parandalimin e dhunës raciste dhe krimeve të urrejtjes në të ardhmen”.

Mijëra protestues u grumbulluan para Gjykatës së Apelit të Athinës, kur tre gjykatësit dhanë vendimin për 68 të pandehurit pas një procesi gjyqësor maratonë që zgjati pesë vjet.

Salla e gjyqit shpërtheu në brohoritje pas vendimit të së mërkurës, po kështu bënë edhe mijëra të tjerë të mbledhur jashtë dyerve të gjykatës. Por situata u përkeqësua në mjediset jashtë, kur grupe të izoluara të vetëquajtura anarkistëve hodhën përzjerje me Molotov drejt forcave të policisë, që u përgjigjën me gaz lotësjellës dhe ujë.

Organizata Amnesty International, e cila ka ndihmuar në krijimin e një sistemi për të regjistruar dhunën me baza racore në vend, tha se vendimi i gjykatës mund të rrisë përpjekjet për të luftuar krimet e urrejtjes.

Partia “Agimi i Artë” u themelua në vitin 1980 si një organizatë neo-naziste dhe gjatë krizës financiare arriti të bëhej forca e tretë politike në vend. Megjithatë ajo nuk arriti të fitojë asnjë vend në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, të cilat u fituam me një rezultat dërrmues nga partia konservatore Demokracia e Re./VOA/

Top Channel