‘Agimi i Artë’ organizatë kriminale/ Athina dëbon nga bashkia 4 punonjësit e partisë naziste, u mbyll edhe zyrat

07/10/2020 20:41

Nga Artur Bibe

Pak orë mbas vendimit të gjykatës Greke, e cila shpalli organizatë kriminale, partinë naziste greke “Agimi i Artë”, autoritetet e bashkiake të Athinës, njoftuan se kanë mbyllur dhe kanë larguar nga zyrat e kësaj bashkie, 4 punonjës që shërbenin në këtë bashki, por të emëruar prej “Agimit të artë”.

Bashkia e Athinës,  njoftoi se 4 punonjësit që shërbenin në zyrat e këshilltarit bashkiak të Agimit të Artë dhe njëkohësisht edhe ish- nënkryetar  i kësaj partie, Ilias Kacidhiaris, janë  vulosur përgjithmonë, ndërkohë që ekspertët ligjorë të bashkisë, po kërkojnë një formulë ligjore për shkarkimin dhe largimin e tyre përfundimtar edhe prej këshillit bashkiak të Athinës.

Duket se politika greke është e vendosur për t’i larë përgjithmonë duart me organizatën famëkeqe, tashmë të shpallur organizatë kriminale, ndaj dhe bashkia e Athinës është e para në shkallë vendi, që nisi çmontimin e asaj që ka mbetur prej Agimit të Artë në të gjitha nivelet e  pushtetit lokal.

Më herët një burim policor i tha Top Channel se policia greke ka vënë nën vëzhgim të rreptë krerët e dënuar të organizatës, ndërsa pritet masa përfundimtare e dënimit nga gjykata e Athinës, për të kryer shoqërimin e tyre drejtë burgut të Koridhalosit,  ku sipas të njëjta burimeve,po përgatiten qelitë në të cilat ata do të kryejnë dënimet.

Top Channel