Kosovë, protestë për pagat/ Punonjësit e spitaleve publike kërkojnë shpërblime

06/10/2020 15:36
Pamje nga protesta

Për shtatë muaj rresht, punëtorët teknik të spitaleve publike janë në shërbim të pacientëve covid dhe jo covid, si dhe të nevojave të stafit mjekësorë.

Por, ndryshe nga këta të fundit, stafi teknik prej pesë muaj nuk është duke marrë pagën shtesë prej 300 euro e cila jepet nga Qeveria në mbështetje të punëtorëve që ndihmuan në menaxhimin e pandemisë.

Për këtë arsye, ata po protestojnë për të tretën herë, duke akuzuar qeverinë se është duke i diskriminuar.

Organizatori i protestës, Kastriot Gjoshi në emër të mbi 2000 punëtorëve, i ka dhënë ultimatum Ministrisë së Shëndetësisë, që brenda 1 jave t’u jepet një përgjigje, në të kundërt puna do të bojkotohet.

Përveç stafit teknik, paga shtesë prej 300 euro nuk u është dhënë as inspektorëve komunal që dolën në terren në inspektim të bizneseve dhe organizimeve familjare.

Ndërsa Policia e Kosovës i mori ato vetëm pas paralajmërimeve për protesta dhe bojkot.

Top Channel