BE-ja do marrëveshje për tregti me Britaninë, por nuk përjashton skenarin pa të

06/10/2020 11:00

Bashkimi Evropian dëshiron të arrijë marrëveshje për tregti me Britaninë, mirëpo teksa kalon koha pa arritur ndonjë të tillë, blloku evropian nuk përjashton mundësinë që të jetë e pamundshme arritja e një marrëveshjeje para përfundimit të vitit, ka thënë zëvendës-presidenti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç.

Duke folur para Parlamentit Evropian, Shefçoviç ka thënë se shefi negociator i Bashkimit Evropian për këtë çështje, Michel Barnier dhe ekipi i tij kanë mbështetje të plotë të BE-së.

“Në rast se arrijmë marrëveshje, që është objektivi ynë, të dyja palët do të duhet të sigurojnë ratifikimin në kohë, në mënyrë që ajo të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2021. Kësaj do t’i duhet pak kohë”, ka thënë ai.

“Nëse nuk bëhet ashtu, ne do të jemi një territor pa marrëveshje. Marrë parasysh që jemi më pak se 100 ditë larg kësaj dite, nuk mund ta përjashtojmë këtë skenar”, ka thënë ai.

Shefçoviç po ashtu ka thënë se vendimi i Britanisë për të shtyrë përpara projektligjin për treg të brendshëm, që është në kundërshtim me traktatin për largim nga BE-ja, ka minuar kredibilitetin e Londrës në bisedime.

“Zbatimi i plotë dhe në kohë i marrëveshjes për largim, thjesht nuk duhet të debatohet”, ka thënë Shefçoviç.

“Fakti që miqtë tanë britanikë tani kanë propozuar projektligjin, që përbën shkelje të marrëveshjes për largim, përbën goditje për besueshmërinë britanike”, ka thënë Shefçoviç.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​ rel

Top Channel