Polici akuzohet se hedh nga ura 16 vjeçarin gjatë protestave në Kili

05/10/2020 20:29

Një oficer policie është arrestuar në Kili pasi akuzohet se ka hedhur nga ura një protestues 16-vjeçar, disa javë para referendumit kombëtar.

Numra të mëdha protestuesish janë mbledhur vazhdimisht në kryeqytetin Santiago, ku kanë ndodhur episode të shumta dhune.

Policia është akuzuar shpesh për brutalitet në shtypjen e protestave duke përdorur gaz lotsjellës dhe pompa të fuqishme uji.

16-vjeçari në fjalë raportohet se është në gjendje të stabilizuar në spital, me një plagë në kokë dhe një frakturë në krah.

Pamjet e të shtunës e tregonin atë me fytyrë përtokë në kanalin e pisët të lumit Mapocho pasi kishte rënë nga ura.

Tashmë dhjetra demonstrues protestojnë para klinikës ku ai është shtruar, duke dënuar policinë me slogane si ‘Ai nuk ra, atë e hodhën.’

Drejtuesi i protestave vullnetare Pavel Pavelic Jofre, tha: “Teksa protestuesit po largoheshin ne pamë momentin kur një oficer e kapi djalin dhe e hodhi nga ura. Dy prej nesh më pas arritëm të zbrisnim poshtë për ta ndihmuar dhe më pas erdhën zjarrfikësit dhe e ngritën për ta çuar në spital”.

Prokurorët në Santiago thanë se ndaj policit në fjalë do të jepen akuza për tentativë vrasjeje.

Por kreu i policisë së rajonit të kryeqytetit Enrique Monras, pretendonte se djali kishte humbur ekuilibrin dhe kishte rënë nga ura teksa policët tentonin ta arrestonin.

Më shumë se 14 milionë kilenë do të votojnë në referendumin kombëtar më 25 tetor për të vendosur ose jo mbi hartimin e kushtetutë së re.

Zhvillimi vjen pas protestave masive në vend që prej vitit 2019 prej problemeve sociale dhe ekonomike duke përfshirë kostot e jetesës, privatizimet dhe pabarazinë.

FOTO GALERI
1/7
Pamjet e të shtunës e tregonin atë me fytyrë përtokë në kanalin e pisët të lumit Mapocho

Top Channel