​Prokuroria në Hagë përmend 16 dëshmitarë dhe një libër në rastin e Salih Mustafës

05/10/2020 18:27

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka dalë sot me detaje në lidhje me rastin e ish-pjesëtarit të arrestuar të UÇK-së Salih Mustafa, i akuzuar për kinse krime lufte në Kosovë.

Me këtë rast, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të thërrasë 16 dëshmitarë në rastin Mustafa, i cili tashmë ka një aktakuzë që e ngarkon atë për siç thuhet ‘ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme’ në periudhën e luftës në Kosovë.

Në seancën e sotme të mbajtur për ecurinë e çështjes së Mustafës, Prokuroria ka thënë se deri më 1 dhjetor të këtij viti do të dorëzojë provat materiale.Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se për qëllimet e aktakuzës së konfirmuar aktualisht mbështetën në pesë dëshmitarë, por që pastaj do të shtohen edhe 11 të tjerë. Për tetë prej tyre, prokurori i specializuar do të kërkojë nga gjykata masa mbrojtëse për mos identifikimin e tyre.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar në këtë fazë mbështetet në pesë dëshmitarë për qëllimet e aktakuzës së konfirmuar, dhe ka ndërmend të mbështetet në ta edhe gjatë gjykimit. Prokuroria parashikon që kësaj liste t’i shtojë edhe 11 dëshmitarë të tjerë, edhe pse ky numër mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati i hapave hetimor të mbetur. Në këtë fazë prokuroria sigurisht do të thërrasë 16 dëshmitarë ose dhe më shumë, por siç thash, nuk mund të parashikoj që mund të ketë edhe më shumë në këtë fazë. Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë prova si raporte, fotografi, dokumente të UÇK-së së asaj kohe, si për shembull urdhra e rregullore dhe publikime të tjera”, tha prokurori i specializuar Andrew Carnegie.

Ndërsa mbrojtësi i Salih Mustafës, Julius Von Bone ka përmendur se materialet e dorëzuara nga Prokuroria nuk janë të gjitha të përkthyera në gjuhën shqipe. Ai ka pasur shumë vërejtje sa i përket provave që janë paraqitur nga Prokuroria e Specializuar. Ai ka përmendur një libër të shkruar nga një historian, që siç tha ai, përmendet në materialet që i janë dorëzuar atij nga Prokuroria. Për të njëjtin, ai ka kërkuar të përkthehet do t’i dorëzohet, meqë nuk e posedon atë.

“Ajo çka kam parë në materialet që më janë dorëzuar lidhur me deklaratat e klientit tim, aty përmendet shpesh një libër i shkruar nga një autor i caktuar. Unë nuk e kam parë këtë libër dhe nuk e di nëse ky libër do të më jepet ose do të jetë pjesë e provave”, tha ai.Avokati Bone ka pyetur prokurorin se a do t’ia dorëzojë palës mbrojtëse të njëjtin libër dhe se a do ta përdorë si provë materiale.

“Në materialin mbështetës që kam marrë deri tani ka një ndarje të UÇK-së si të thuash dhe nuk e di cili është burimi i kësaj dhe nga ka ardhur nga ky libër apo jo. Me sa e di unë, këtë libër e ka shkruar një historian, ndoshta ky person mund të vijë të jep dëshmi apo jo, nuk e di në këtë fazë. Mendoj që është me rendësi të dimë cili është burimi i këtij libri dhe këto ndarje të organeve të UÇK-së që ka bërë ai”, tha Von Bone.

Sipas prokurorit, Andrew Carnegie libri do të jetë pjesë e provave dhe se do ta dorëzojë atë brenda 30 ditësh. Ai tha se në kuadër të provave do të paraqesin edhe raporte, fotografi, dokumente e urdhra e publikime të tjera të UÇK-së.

“Sa i përket provave materiale, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë 50 prova materiale në gjyq. Ky është një vlerësim paraprak dhe mund të ndryshojë në varësi të relevancës së dokumenteve që do të merren dhe rezultateve që do të kemi dhe hapave të mëtejshëm hetimorë. Provat materiale do të përfshijnë intervista, fotografi, raporte dhe dokumente të asaj kohe, si dhe materiale në video”, tha ai.

Ai shtoi se mbrojtja ka marrë vetëm një pjesë e materialit mbështetës të aktakuzës dhe se të tjera do të marrin më vonë. Më 29 shtator Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka dorëzuar mbrojtjes paketën e parë të materialeve shfajësuese, që sipas prokurorit, zyra e tyre është duke shikuar për një paketë të dytë të materialit shfajësues. Gjykatësi i Dhomave të Specializuara, Nicolas Guillou ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta marrë një vendim lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në procesin e gjykimit, si dhe për procesin e aplikimit të tyre.Pas deklarimeve, gjyqtari e mbylli seancën për publikun derisa njoftoi që pas pauzës 10 minutash vazhdojnë me seancë të mbyllur. Salih Mustafa, i njohur si komandant “Cali”, e nisi ballafaqimin me Gjykatën Speciale më 28 shtator.

Aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa arrestimi u bë 24 shtator, ku në të njëjtën ditë ai u dërgua në Hagë. Sipas Speciales, “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Top Channel