Regn-Cov2, ilaçi eksperimental që po kurohet Donald Trump

04/10/2020 01:20

Donald Trump po trajtohet me një ilaç eksperimental antitrupash që ka treguar rezultate premtuese në fazat e para por që ende nuk është miratuar nga rregullatorët. Sipas një deklarate të mjekut të tij, presidenti ka marrë një dozë të vetme tetë gramëshe të një koktejli antitrupash të quajtur REGN-COV2, një kombinim i dy antitrupash neutralizues njerëzor kundër virusit.

Trajtimi është zhvilluar nga Regeneron Pharmaceuticals, që më herët ka zhvilluar një ilaç të ngjashëm me antitrupa edhe kundër Ebolas. Trump po ashtu po merr zink, vitaminë D, melatoninë, aspirinë dhe ilaçin për urthin famotidinë që shpesh shitet në SHBA nën emrin e markës Pepcid. Edhe pse ilaçi nuk ka treguar se funksionon kundër koronavirusit, studiuesit po e vëzhgojnë si trajtim i mundshëm.

REGN-COV2 është pjesë e një klase eksperimentale të ilaçeve të Covid-19 të njohura si antitrupat monoklonalë: kopje të pordhuara në laborator të antitrupave njerëzor ndaj virusit që po studiohen për përdorim tek pacientët në fazat e para të sëmundjes. Të dhënat deri më tani janë të kufizuara, por këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Anthony Fauci, është mes atyre që thonë se ilaçi ka shfaqur premisa.

Në një deklaratë për shtyp më herët këtë javë, Regeneron tha se rezultatet paraprake kanë treguar se trajtimi redukton nivelet virale dhe përmirëson simptomat tek pacientët me Covid-19 që nuk janë shtruar në spital.

Por mjekët kanë thënë se Trump ka disa faktorë që e vendosin atë në kategorinë e rrezikuar për komplikacione nga Covid-19, përfshirë moshën dhe peshën. Ndërkohë që mjekët janë të shqetësuar edhe nga niveli i lartë i kolesterolit që mund të rrezikojë një atak kardiak.

Top Channel