Në prag të debatit të kandidatëve për nënpresident

04/10/2020 03:15

Nënpresidenti republikan Mike Pence dhe senatorja demokrate Kamala Harris do të përballen të mërkurën për një debat që për shumë arsye mund të jetë më interesant dhe mund të ndiqet më shumë sesa debati tipik mes kandidatëve për postin e nënpresidentit. Debati mes kandidatëve për nënpresidet konsiderohet si përpjekje për të shtuar mbështetjen për dyshen partiake që kandidon për Shtëpinë e Bardhë. Alan Shroeder është profesor në Univesitetin Northestern.

“Debatet mes kandidatëve për nënpresidentë shpesh janë më tërheqës. Rreziqet janë më të vogla dhe kandidatët ndihen më të lirshëm që të shprehen”, thotë ai. Debati i së mërkurës mes Nënpresidentit republikan Mike Pence dhe senatores demokrate Kamala Harris ka më shumë linja që e bëjnë më interesante ndjekjen e tij. Mitchell McKinney drejton Institutin e Komunikimit në Universitetin e Mizurit.

“Natyra historike e përzgjedhjes së zonjës Kamala Harris dhe fakti që është gruaja e parë me ngjyrë kandidate për nënpresidente që po debaton”, thotë ai. Geraldine Ferraro ishte gruaja e parë që mori pjesë në një debat kandidatësh për nënpresident përballë George Herbert Walker Bush që kandidonte me Ronald Reagan në vitin 1984.

Mary Kate Cary është me Qendrën Miller në Universitetin e Virxhinias. “Më kujtohet që ishte një shqetësim i jashtëzakonshëm për mënyrën se si zoti Bush duhet të debatojë me gruan e parë kandidate për nënpresidente. Mund të ishte në disa raste shumë sfidues dhe sigurisht ishte debatues i mirë, por nuk donte të dukej në asnjë mënyrë sikur po kërkonte ta frikësonte”, tregon ajo.

Votuesit në vitin 2008 ishin të etur për të parë republikanen Sara Palin që të debatonte me demokratin Joe Biden, thotë Mitchel McKinney me Universitetin e Mizurit: “Pritshmëritë ishin shumë të mëdha për debatin mes kandidatëve për nënpresident Biden-Palin dhe ishte hera e parë në historinë e debateve presidenciale që shikueshmëria për një debat të tillë e tejkaloi shikueshmërinë e debatit mes kandidatëve kryesorë për presidentë. Duke patur parasysh se këtu bëhet fjalë për kandidatin Barack Obama, përsa u përket debateve historike”.

Por infektimi i Presidentit me koronavirus po shton pritshmëri të larta për debatin Pence-Harris. Mary Kate Cary është me Universitetin e Virxhinias. “Nënpresidenti Pence drejtonte përpjekjet kundër koronavirusit. Trump u duk sikur ai mori frenat nga duart. Por sigurisht, fushata e zonjës Harris do të fokusohet tek zoti Pence lidhur me shqetësimet për koronavirusin dhe do të flasin për të gjitha gjërat që ata mendojnë që ai nuk i trajtoi mirë”, thotë ajo. “Zonja Harris ka një reputacion për ngritjen e pyetjeve shumë agresive në Komisionin Juridik të Senatit. Ajo njihet për zgjuarsinë e saj në seancat dëgjimore. Mendoj se do të jetë një debatuese shumë e mirë. Nga ana tjetër, zoti Pence është një debatues i papërkulur. Shanset që ai të bjerë pre e ndonjë kurthi në debat janë shumë të vogla. Mendoj se ai ka një audiencë të mirë”.

Duke lënë mënjanë infektimin, Presidenti Trump është 74 vjeç dhe zoti Biden është 77 vjeç. Në këtë prizëm, debati nënpresidencial ka ndërlikime të mëtejshme, thotë Alan Schroeder me Universitetin Northestern: “Nëse zoti Pence do të zhvillojë një tjetër debat të mirë, siç ndodhi katër vite më parë, atëherë kjo do të ndihmonte pozitat e tij si kandidat republikan në vitin 2024. Po ashtu edhe zonja Harris ka një moshë të re për të patur ambicje afatgjata”.

Po përqendrimi i tepërt tek zgjedhjet pas katër viteve, tani rrezikon të të zhvendosë vëmendjen nga debati i së mërkurës, për të mbështetur kandidatin presidencial me të cilin po kandidon, thotë zoti McKinney me Universitetin e Mizurit: “Mendoj se do të shohim përsëri zonjën Harris të shtrojë tezën se pse zoti Trump nuk duhet të rizgjidhet. Pastaj zoti Pence do të duhet të mbrojë punën e bërë gjatë katër viteve. Kështu që do të jetë një debat interesant për t’u ndjekur”. Kandidatët për postin e nënpresidentit do të debatojnë të mërkurën në qytetin Salt Lake të shtetit Juta (Utah)./VOA

Top Channel