Madridi në izolim/ Kufizime për mbi 3 milionë banorë

04/10/2020 02:07

Më shumë se tre milionë njerëz në Madrid i janë nënshtruar kufizimeve të reja të jetëve të tyre ndërsa Spanja po përpiqet të vendosë nën kontroll valën e dytë të infektimeve me Covid-19 në Evropë.

Nga kjo fundjavë, njerëzit mund të dalin nga lagjet e tyre vetëm për udhëtime të domosdoshme. Baret dhe restorantet nuk mund të shërbejnë pas orës 22.00 dhe maksimumi gjashtë persona lejohen të takohen në çdo vend. Masat janë kërkuar nga qeveria federale e Spanjës ndërkohë që janë në fuqi në nëntë qytete të tjera përreth kryeqytetit.

Autoritetet e qytetit të Madridit provuan t’i bënin rezistencë kufizimeve të reja, duke shfrytëzuar gjykatat për bllokimin e tyre. Madridi bëhet kështu kryeqyteti i parë evropian që rivendos kufizimet.

Shenjat e valës së dytë të infektimeve me Covid-19 po shpërthejnë nëpër Spanjë dhe mund të shihen më qartë në njësitë e emergjencave në spitale. Çdo orë ambulancat mbërrijnë me pacientë të rinj ndërsa vendet në reanimacione po mbarojnë. Rreth 10 mijë raste të reja të Covid-19 identifikohen në Spanjë çdo ditë.

Të premten pati 11325 infektime të reja dhe 113 viktima. Rreth një në katër teste që bëhen rezulton pozitiv dhe ky është një tjetër sinjal paralajmërues për përhapjen e virusit.

Top Channel