Leao udhëheq Milanin drejt fitores, kuqezinjtë në krye me pikë të plota

04/10/2020 23:06

Ndonëse me mungesa të shumta për shkak të dëmtimeve dhe koronavirusit, Milani vijon të konfirmohet në superformë, pasi mbrëmjen e sotme mori fitoren e tretë radhazi në po kaq ndeshje të luajtura në sezonin e ri.

Kuqezinjtë ia dolën të mposhtin me rezultatin 3-0 Spezian e ngjitur rishtazi në elitën e futbollit italian, në një ndeshje e cila u vendos në pjesën e dytë, pasi miqtë ia dolën të ruajnë portën e paprekur në 45 minutat e para në “San Siro”.

Portugezi Leao zhbllokoi sfidën në minutën e 57’, pas ekzekutimit të një goditjeje standarde nga ana e turkut Calhanoglu, ndërsa më pas ishte francezi Theo Hernandez që rikuperoi një top në gjysmëfushën kundërshtare, hyri në zonë dhe shënoi vetë golin e dytë për kuqezinjtë.

Në minutën e 78’ ishte sërish portugezi Leao që shënoi golin e dytë personal dhe njëkohësisht vulosi suksesin 3-0 të Milanit, që pas 3 javësh ngjitet në krye të renditjes me 9 pikë të plota, po aq sa ka edhe Atalanta.

Top Channel