Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Trump ka shfaqur simptoma të lehta pas diagnostikimit me koronavirus.

Por diagnoza vjen ndërkohë që kanë mbetur katër javë e gjysmë deri në zgjedhjet presidenciale dhe ka ngritur tashmë shumë pikëpyetje mbi skenarë të ndryshme: çfarë ndodh nëse një kandidat presidencial ose fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit vdes ose është i paaftë për të kryer detyrën?

A mund të shtyhen zgjedhjet e 3 nëntorit? Po, por nuk ka të ngjarë që të ndodhë diçka e tillë. Kushtetuta i jep Kongresit autoritetin për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Sipas ligjit amerikan, zgjedhjet zhvillohen të martën, pas të hënës së parë të nëntorit, çdo katër vjet. Është thuajse e garantuar që Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët do të kundërshtonte shtyrjen e zgjedhjeve, edhe nëse Senati i kontrolluar nga republikanët e miraton një ndryshim të tillë.

Zgjedhjet presidenciale nuk janë shtyrë ndonjëherë. Por çfarë ndodh nëse një nga kandidatët vdes para zgjedhjeve? Komiteti Kombëtar Demokrat dhe Komiteti Kombëtar Republikan kanë rregullore në bazë të të cilave anëtarësia voton për një kandidat zëvendësues.

Por në këto momente mund të jetë pak vonë për zëvendësimin e një kandidati katër javë e gjysmë para zgjedhjeve, ndërkohë që ka filluar votimi i hershëm.

Zhvillimet dramatike kërcënojnë ta kthejnë muajin e fundit të fushatës zgjedhore presidenciale përmbys, duke përqendruar vëmendjen në deklaratat e mëhershme të presidentit Trump për minimizimin e një pandemie që ka vrarë më shumë se 200,000 amerikanë dhe infektuar mbi 7 milionë.

Top Channel