Pas bashkimit evropian edhe shtetet e bashkuara të Amerikës vendosën sanksione mbi zyrtarët bjellorusë, që konsiderohen përgjegjës për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale të gushtit dhe reagimit të ashpër ndaj protestuesve dhe opozitës.
Bjellorusia ka akuzuar Bashkimin Evropian për vendosjen e “masës ndëshkuese” ndaj Bjellorusisë, sepse, sipas tyre, “nuk ishte në përputhje me një sërë kërkesash ultimatumi që asnjë shtet sovran i vetë-respektuar nuk do të plotësonte.
“Pas gati gjashtë javësh të përplasjeve diplomatike, udhëheqësit e BE-së kapërcyen një ngërç të krijuar nga Qiproja dhe ranë dakord në një samit në Bruksel më 2 tetor mbi sanksionet kundër 40 zyrtarëve bjellorusë. Udhëheqësit gjithashtu nxitën krahun ekzekutiv të BE-së, Komisionin Evropian, “të përgatisë një plan gjithëpërfshirës të mbështetjes ekonomike për Bjellorusinë demokratike”.
Sanksionet e BE-së prekin zyrtarët e Bjellorusisë në Ministrinë e Brendshme, policinë dhe shërbimet e sigurisë për dhunën ndaj protestuesve dhe opozitës, si dhe zyrtarë zgjedhorë që fajësohen për falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 gushtit që i dhanë Aleksander Lukashenkos një mandat të gjashtë si president.
Lukashenko nuk është në listën e sanksioneve, por diplomatët e BE-së kanë thënë se ai mund të shtohet në një datë të mëvonshme. Në një lëvizje të koordinuar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tetë zyrtarëve bjellorusë, përfshirë ministrin e Brendshëm, tha Departamenti i Thesarit.
Bjellorusia është përballur me protesta të mëdha që nga zgjedhjet e kontestuara presidenciale të gushtit.
Top Channel