Manastirliu inspekton qendrën shëndetësore të Urës Vajgurore: Kemi përmirësuar cilësinë e shërbimit

03/10/2020 14:02

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet në qendrën shëndetësore në Urën Vajgurore, e cila po rehabilitohet në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore.

“Është një premtim i mbajtur rikualifikimi dhe rehabilitimi i qendrës shëndetësore “18 Tetori”. Një ndër qendrat shëndetësore kryesore të bashkisë Ura Vajgurore. Nuk ka rëndësi nëse është në qendër të qytetit apo në zonat më të thella, ne kemi garantuar të njëjtin standard për rindërtimin e qendrave shëndetësore dhe ambulancave”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e qendrës shëndetësore të Urës Vajgurore, ministrja e Shëndetësisë tha se falë investimeve të qeverisë shqiptare në infrastrukturë kanë përfituar më shumë se 1 milion qytetarë.

“Me investimet që ne po bëjmë në infrastrukturë, ne kemi arritur që të përmirësojmë cilësinë e shërbimit të më shumë se 1 milion qytetarëve me programin e 300 qendrave shëndetësore. Sigurisht ambicia jonë është të shkojmë përtej, të arrijmë në çdo qendër shëndetësore, tek çdo ambulancë e cila ka nevojë për të përmirësuar nga pikëpamja infrastrukturore, për të garantuar shërbimin cilësor për qytetarët”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ritheksoi angazhimin e qeverisë për rritjen sinjifikative të pagave për mjekët dhe infermierët, e cila nis në vitin 2021.

Top Channel