Kosovë-Shqipëri/ Në vite, me dhjetëra marrëveshje

02/10/2020 13:25

Mbi 70 marrëveshjeve, protokolleve dhe memorandumeve të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do të ju shtohen edhe 15 të tjera me mbledhjen e dy qeverive në Tiranë.

Në fushën e transportit hekurudhor pritet të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë. REL thotë se ky memorandum ka të bëjë me pikën e marrëveshjes të nënshkruar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja palët janë pajtuar se do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik.

Në takimin mes dy qeverive, po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë do të nënshkruajnë një marrëveshje për ngritjen e grupit të punës mbi krijimin e Fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës. Marrëveshje, memorandume dhe dokumente bashkëpunimi pritet të nënshkruhen edhe në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë e të tjera. Këto draft-marrëveshje Qeveria e Kosovës tashmë veç i ka miratuar në parim.

Mbledhja e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë është e gjashta me radhë që nga viti 2014, kur u mbajt takimi I pare. Marrëveshjet e arritura gjatë kësaj kohe kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve, por shume here, thekson Radio Evropa e Lire, qeveritë jane kritikuar se keto ujdi kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë.

Top Channel