Fondi i Komunitetit/ Veliaj në Njësinë 2: Mos ngatërroni partinë me familjen, partia numër një është familja

02/10/2020 13:52

Njësia 2 në Kryeqytet, një prej zonave ku investimet e Bashkisë së Tiranës kanë transformuar tërësisht cilësinë e jetesës së qytetarëve, ishte ndalesa e radhës e turit të kryebashkiakut Erion Veliaj në çdo njësi.

Ai inspektoi një prej pallateve përfituese nga Fondi e Komunitetit, nisma e suksesshme e Bashkisë së Tiranës, e cila u vjen në ndihmë qytetarëve për rikonstruksionin e pallateve. Veliaj u shpreh se, falë këtij projekti, familjet e pallateve të vjetra, në të cilat nuk vihej dorë prej vitesh, jo vetëm do të kenë kushte më të mira jetese, por do iu rritet edhe vlera e pronës.

“Në çdo punë që kemi bërë ka pasur gjithmonë një minorancë që i ka kundërshtuar, por me të mbaruar kanë rënë dakord dhe asnjë nuk identifikohet me rezistencën e fillimit. Shtëpitë marrin vlerë, bashkia ndërkohë shtron rrugën me asfalt dhe nga ky pallat përfiton e gjithë mëhalla. Por, nëse rri vetë në një shtëpi që fut lagështirë, që s’është e veshur me kapot, ku fatura e energjisë shkon “fiu” si në verë për ftohje, ashtu edhe në dimër për ngrohje, i bën dëm vetës tënde”, shpjegoi Veliaj, teksa shtoi se mirëqenia e familjes është e para.

“Ti mund të rrish me partinë tënde, voton kë të duash ti, por mos ngatërroni partinë me familjen, se partia numër një është familja. Për sa kohë janë 30 familje, 28 bien dakord, janë 2 që thonë ‘Jo’, – ngaqë janë me filan parti, – ‘unë do të rri në të ftohtë ose në lagështirë’, kjo është një marrëzi. Partia numër një është shtëpia jote, familja jote, gjaku yt, pastaj vijnë partitë e tjera. Unë e kam për shumë krenari që jam socialist, por nuk them jam gati të më pikojë tarraca për partinë, veç ai i partisë tjetër të mos ma rregullojë”, tha Veliaj.

Një prej personaliteteve që i janë bashkuar kësaj nisme në zonën e Pazarit të Ri, ish-Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. Pandeli Troja, është bërë bashkë me fqinjët për të rikonstruktuar pallatin me Fondin e Komunitetit. “Fakulteti i Shkencave është i yni, por Fakulteti i Shkencave është pak si ky pallati, bie dakord shumica, por janë dy veta që do thonë s’dua. Unë e di që sa herë që nis një punë e mirë dalin dy që e prishin për të gjithë dhe mbahet peng i gjithë pallati sa të binden dhe ata të dy, që më në fund u bindën”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari Veliaj tha se ashtu sikurse edhe me veprat e tjera të Bashkisë së Tiranës, edhe Kopshti Botanik do të transformohet. “Kopshti Botanik është i juaji, me investimet tona, se nuk keni fuqi financiare. Unë e kam mbajtur çdo fjalë. S’kam ndërtuar pallat as tek fusha në Laprakë, as tek këndi i lodrave, as tek Parku Rinia, por si në shtëpi, nëse nuk vë dorë ajo zë myk, edhe Kopshti Botanik, nëse kthehet vetëm në një sfodn ku bëjnë fotografi nuset, duke korruptuar rojën, nuk është më një hapësirë shkencore. Ndaj, profesor, garancia ime për Fakultetin dhe për ata dy që kanë mbetur pa u bindur, u them: Mos shihni partinë, por shihni shkollën! Secili me partitë e veta në datë 25 prill, por nuk bëhet politikë me Kopshtin Botanik”, u shpreh Veliaj.

Edhe banorët u shprehën të kënaqur për investimet e bëra në këtë zonë nga bashkia. “Çdo gjë që e keni filluar, e keni mbaruar. Ju lumshin duart!”, shprehet një prej tyre. “Unë jam këtu që në vitin ‘87, por nuk kam parë kryetar bashkie më punëtor se ju,” thotë një tjetër qytetar, që prej 30 vitesh jeton në këtë zonë.

Deri më tani, nismës së Fondit të Komunitetit i janë bashkuar 50 pallate, banorët e të cilave, në bashkëpunim me bashkinë, investojnë në riparimin e ndërtesës së amortizuar nga koha.

Top Channel