Kosova sërish nuk regjistroi asnjë vdekje nga koronavirusi i ri gjatë 24 orëve të fundit.

Të infektuarit e rinj janë 42, një nivel shifrash ky që nuk ka njohur luhatje të forta prej ditësh. 54 janë të shëruarit e mbi 1.300 rastet aktive në vend.

Gjithsej, totali i vdekjeve nga Covid 19 në Kosovë shkon në 627. Ndryshe paraqitet situata në Maqedoninë e Veriut që regjistroi 6 viktima të reja e 225 raste. Këtu numri total i vdekjeve llogaritet në 749, me shumicën e viktimave nga Shkupi, Kumanova, Prilepi, Struga dhe Tetova. Ministria vendase e Shëndetësisë njoftoi se Komisioni i Sëmundjeve Infektive po shqyrton situatën pas rritjes së rasteve të të infektuarve me koronavirus.

Autoritetet kanë bërë thirrje për respektimin e masave mbrojtëse ndërsa paralajmëruan se në rast nevoje mund të vendosen masave kufizuese, si mbajtja e maskave në hapësirat publike, kufizim të udhëtarëve në transportin publik dhe në restorante dhe lokale tjera.

Top Channel