E kaluara është një nga vlerat dhe dëshmitë më të çmuara për zhvillimin e çdo qytetërimi dhe kush më shumë se Durrësi mund të krenohet me historinë e tij, teksa bashkëjeton çdo ditë me të.

Qytetërimi mijëra-vjeçar, personazhet dhe ngjarjet përgjatë historisë së qytetit erdhën si një sintezë rrëfimi nga arkeologët Lida Miraj dhe Saimir Shpuza, në ambjentet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. I rindërtuar historikisht mbi veten, një pjesë e mirë e trashëgimisë së pasur historiko-kulturore dergjet ende nën tokë.

Saimir Shpuza, arkeolog: Ka një veçanti Durrësi, që për arkeologët nuk është e mirë, pasi qyteti modern është ndërtuar gjithnjë mbi qytetin e vjetër. Në qytete të tjera antike ne e projektojmë veten në situatën antike pasi jemi të rrethuar nga monumente antike. Në Durrës e kemi të vështirë, pasi ndërtimet e reja I janë mbivendosur atyre të reja. Po monumentet që kemi tregojnë se çfarë madhështie, monumentaliteti ka pasur urbanistika e Durrësit.

Tërmetet e kanë goditur historikisht qytetin, duke e rrafshuar atë, po gjithnjë ai është ngritur e ringritur mbi veten duke dëshmuar forcë dhe vitalitet që nga koha e themelimit e deri në ditët tona. Arkeologja Lida Miraj foli për monedhat e përdorura dhe epsilonin arkaik që dëshmojnë zhvillimin e rëndësishëm urban të qytetit në antikitet.

Lida Miraj, arkeologe: Durrësi ka qenë historikisht zonë sizmike dhe është rrafshuar nga tërmeti, po le është goditur gjithnjë nga tërmëtet. Po legjendën e themelimit të qytetit e tregon Apiami që tregon se ishte një mbret ilir Epidamnos themeloi qytetin dhe Dyrrachiom themeloi portin dhe e quajti me emrin e tij. Monedhat e para të Durrësit identifikoheshin me monedhat e Korkyrës.

Si datë zyrtare e themelimit të Durrësit njihet viti 627, por dëshmitë e gjetura nëntokë dhe të ekspozuara në muze, më të madhin në vend, e shtyjnë kohën e ekzistencës deri në mesin e shek. VII p.e.s. E përshkuar nga lajtmotivi “Të njohim të shkuarën për të dashur të ardhmen”, mbrëmja në Durrës u pasua nga një koncert duo i violinccelistëve Pjetër Guralumi dhe Arven Pjetri, që përcollën me mjeshtëri dhe vepra nga autorë të antikitetit dhe mesjetës, si Niceta, Jan Kukuzeli dhe Gjergj Danush Lapaccaya.

Top Channel