I shoqëruar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis,në ditën e dytë të vizitës së tij në Greqi, kreu i diplomacisë amerikane Mike Pompeo ka vizituar fregatën greke “ Salamis” dhe bazën ushtarake të Sudes në Hania të Kretës e cila sipas deklaratave të dy politikanëve shndërrohet në bazën më strategjike të rajonit, pasi përveç zgjerimit dhe pajisjes me teknologjinë e fundit, bëhet bazë e përhershme ankorimi për një prej anijeve më të mëdha ushtarake të SHBA.

Mike Pompeo, Sekretari i Shtetit i SHBA: Nuk do të ishte ekzagjerim të thuhet se marrëdhëniet midis dy vendeve janë më të mira se kurrë dhe po forcohen vazhdimisht.

Anija ushtarake USS Hershel Woody Williams, baza më e re lundruese e marinës amerikane, do të ankorohet përgjithmonë në Souda. Bëhet fjalë për një zgjedhje ideale, duke pasur parasysh vendndodhjen strategjike të bazës dhe kjo simbolizon bashkëpunim ne sektorin e mbrojtjes që do të vazhdojë të zgjerohet dhe zhvillohet.

Ndërsa bashkëpunimi në sektorin e sigurisë është vërtet i rëndësishëm pasi Rusia vazhdon të ketë një rol destabilizues në rajon dhe sidomos në Libi.

Edhe kryeministri Mitsotakis e ka quajtur bazën e Sudës dhe Kretën vendin ku dëgjohen rrahjet e zemrës të bashkëpunimit greko-amerikan, ndërsa i ka parashtruar z. Pompeo edhe njëherë pozicionimin grek në lidhje me zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe tensionet me Turqinë duke theksuar se tashmë ka ardhur koha për diplomaci .

Kyriakos Mitsoptakis kryeministër i Greqisë: Mesdheu lindor është një zonë shumë e ndjeshme që është sprovuar kohët e fundit nga agresiviteti i Turqisë. Unë dhe ministrat e mi i paraqitëm delegacionit amerikan pozicionet greke të cilat unë besoj se janë plotësisht në përputhje me deklaratat e fundit të Departamentit të Shtetit. Dhe do t’i përmbledhja ato me katër fjalë: “Jo veprimeve te njëanshme”. Përgjigja greke ndaj të gjitha provokimeve është gjithmonë mbrojtja e të drejtave tona kombëtare.

Mike Pompeo, Sekretari i Shtetit i SHBA:”Ne, Amerikanët, e shikojmë Greqinë si një shtyllë të vërtetë për stabilitetin dhe prosperitetin në Mesdheun lindor dhe jemi tepër krenarë që mbështesim udhëheqjen e saj. Ne mbështesim fuqimisht dialogun midis aleatëve të NATO-s Greqisë dhe Turqisë dhe i inkurajojmë ato të rifillojnë diskutimin e këtyre çështjeve sa më shpejt të jetë e mundur.

Pompeo ka theksuar se është hera e dytë që viziton Greqinë brenda një viti dhe hera e parë që një sekretar amerikan i shtetit shkon në Selanik dhe bisedon me biznesmenë për bashkëpunimin rajonal dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe investimeve në Greqinë e Veriut dhe në Ballkan.

Top Channel