Mbi 8 mijë procedura në zemër janë kryer vetëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë këtij viti.
Në Ditën Botërore të Zemrës, Ministrja Manastirliu ishte në qendrën e Hemodinamikës në QSUT, ku vlerësoi punën e madhe të stafeve mjekësore, e cila nuk është ndalur për asnjë ditë, edhe në këtë situatë epidemie.
“Qeveria shqiptare është e angazhuar, ashtu sikurse në parandalim edhe në trajtimin mirë të sëmundjeve kardiovaskulare, për të rritur vitet e shëndetshme, uljen e invaliditetin dhe fatalitetet nga këto sëmundje. Edhe pse në situatë epidemie, puna nuk ka ndalur jo vetëm në këtë qendër e cila performon 7-8 herë më shumë krahasuar me vitin 2014, por edhe në qendrat e hapura në spitalet e tjera. Janë rreth 35 mijë koronarografi të kryera në këto 5 vite për qytetarët, përfshirë edhe urgjencat kardiake 24/7”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se sot koha e pritjes për një koronarografi, nuk I kalon 14 ditë dhe se urgjencat kardiake kryehen në çdo kohë në repartin e hemodinamikës në QSUT, ndryshe nga sa ndodhte disa vite më parë.
“Sot askush nga qytetarët, nga veriu në jug, nuk pret dhe nuk referohet në sistemet jo-publike për të kryer një koronarografi të urgjencës gjatë natës. Sot qytetarët nuk duhet të presin më shumë se 14 ditë nëse duan të bëjnë një ekzaminim nëpërmjet koronarografisë. Për këtë ka vlejtur pikërisht investimi që kemi bërë në Tiranë, në qendrën e specializuar tek “Shefqet Ndroqi”, në Shkodër, dhe në spitalin rajonal të Fierit”, tha Manastirliu.
Dua të ndalem tek situate e epidemisë, Ministrja e Shëndetësisë tha se edhe për pacientët e prekur nga COVID19 të cilët kanë nevojë për kryerjen e një koronarografie, shërbimi ofrohet në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”.
“Kemi siguruar që me vendosjen në dispozicion të spitalit “Shefqet Ndroqi” si një spital Covid2, edhe laboratori i Hemodinamikës që është aty, është i gatshëm për të gjithë rastet e pacientëve të cilët mund të trajtohen me me Covid, por kanë nevojë për një ndërhyrje të specializuar, jo invasive në zemër”, tha Manastirliu.
Prof. Artan Goda, shefi i shërbimit të Kardiologjisë 1 u shpreh se qendra e hemodinamikës në QSUT ka një rritje substanciale të volumit të punës së kryer në vitin e fundit.
“Kjo periudhë që nga Dita e Zemrës e vitit të kaluar deri sot që jemi në Ditën e Zemrës, mund të them që duhet konsideruar i suksesshëm për kardiologjinë. Janë shërbyer 5500 të sëmurë gjatë kësaj periudhe, janë kryer rreth 8200 proçedura, vetëm në këtë qendër që është sigurisht më aktivja në vend. Jemi qendra me volumin më të madh të punës në rajon”, tha Goda
. Goda tha se sfidë mbetet zgjerimi i gamës së ndërhyrjeve, duke theksuar se qendrat publike përballojmë rreth 90 % të ndërhyrjeve në vend.
Prof. Alban Dibra, shef i shërbimit të kardiologjisë 2 u shpreh se ka një ecuri të mirë të pacientëve, kjo edhe falë eksperiencës tashmë të krijuar në këtë shërbim.
“Viti i fundi ka arritur pikun e rasteve të trajtuar në urgjencë. Janë gati 1700 pacientë, prej të cilëve 1600 janë pacientë me infarkt akut të miokardit, që është edhe forma me riskun më të lartë të sëmundjeve kardiake”, tha Dibra.
Sëmundjet e zemrës janë ndër patologjite më të shpeshta të diagnostikuara në sistemin shëndetesor shqiptar dhe shkaktari kryesor i vdekjeve në Shqipëri (i ndjekur nga sëmundjet cerbrovaskulare dhe tumoret).
Top Channel