Kryeprokurorja e Tiranës sërish takim me drejtuesit e lartë të Policisë, në fokus bashkëpunim institucional e ndërkombëtar kundër trafiqeve

28/09/2020 11:42

Prokuroria e Tiranës është mbledhur sërish me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bëjnë me dije se mbledhja është thirrur nga kryeprokuroja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, ndërsa në takim po marrin pjesë, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, së bashku me drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, por edhe drejtues të tjerë të lartë.

Mësohet se fokusi i takimit është bashkëpunimi institucional dhe ai ndërkombëtar, për luftën kundër  veprave penale ne fushën e trafiqeve të paligjshme. Diskutimet do të ndalen tek bashkëpunimi kryesisht me Europol, dhe vendet e tjera si Britania, Spanja, Austria, Belgjika, Kosova, vendet Nordike, Franca e SHBA.

Kujtojmë se 4 ditë më parë kryeprokuroja e Tiranës thirri një tjetër takim me drejtuesit e lartë të policisë lidhur me kriminalitetin në vendin tonë dhe ngjarjet e fundit.

Top Channel