Kjo është fusha e Vurgut ku më shumë se 1000 ha tokë është e mbjellë me misër. Gjatë këtij sezoni prodhimi ishte shumë i mbarë thonë agronomët por shirat e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në parcelat e mbjella me misër.

“Gjasat nuk duken të mira. Korrja filloi tani por gati 50% e sipërfaqes së mbetur pa korrur është e shtrirë përtokë. Disa familje nga ky dëm mund të marrin dhe falimentimin. Kam një thirrje për siguracionet për të kthyer vëmendjen edhe nga bujqësia për ti siguruar prodhimet në bujqësi, në blegtori, në agrume.”

Prodhimi i misrit në shumicën e sasisë nuk arrin të mblidhet dot prej kombainës ndërsa edhe grumbullimi me dorë duke vendosur punëtorë sipas fermerëve është i pamundur.

“Mund të thuash që unë kam rreth 30 ha dëm. Jam bashkë me dhëndërin që e punuam dhe urdhëro 30 ha në këtë gjendje janë që mund të marrim 30% dhe atë me vështirësi.”

“Kishim dëgjuar për shi por jo për katastrofë. Nuk ka ndodhur asnjë vit më parë dhe kjo ishte e pazakontë. Më ka dëmtuar rreth 30 ha.”

“Unë kam rreth 25 ha dhe janë shumë lekë mbi 35 milionë lekë. As ato që kam marrë nuk shlyej dot, as qiratë e tokave e pastaj, fara, shërbimet, ureja, s’marr dot asnjë lek.

Prodhimi është e pamundur të mblidhet sepse edhe punëtorë nuk gjejmë dot por edhe të gjesh një punëtor ditën e punës e ka 20 mijë lekë, më shumë se 3 kv punëtori nuk mbledh dot dhe po të llogarisësh çmimin është zero interes.”

Vetëm në Çukë rreth 800 familje jetojnë falë mbjelljes së misrit dhe jonxhës në fushën e Vurgut. Nëse fermerët nuk do të arrijnë të shesin sasinë e planifikuar të misrit atëherë ata nuk do të arrijnë dot të shlyejnë kostot e punimit të tokës, prashitjes dhe shërbimeve të shumta që kryhen për këto kultura.

Top Channel