“Nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakolare”, deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën kur zyrtarë të sundimit të ligjit bastisën zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe arrestuan udhëheqës të saj.
“Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo, nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”- tha presidenti përmes një deklarate për shtyp. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Nisma Socialdemokrate reaguan gjithashtu. “Nuk ka arsye për operacione e bastisje.
Përpjekja për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë, është e gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë. Apeloj tek organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që t’i respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ikë drejtësisë”- shkroi Haradinaj në Facebook.
Nisma Socialdemokrate gjithashtu shprehu mospajtimin e saj me mënyrën e trajtimit të udhëheqësve të OVL-së së UÇK-së. Tre herë këtë muaj Organizata e Veteranëve të Luftës ka marrë dosje të mbërritura në mënyrë anonime të cilat lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë u shpreh këtë javë se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.
Top Channel