Gjykatësja Ginsburg, e para grua që nderohet me homazhe shtetërore në Kongresin amerikan

26/09/2020 03:35

Kandidati demokrat për president Joe Biden dhe gruaja e tij Jill, nderuan anëtaren e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg, e cila u bë gruaja e parë dhe personi i parë hebre që nderohet me homazhe shtetërore në Kongresin amerikan.

Zoti Biden dhe gruaja e tij ishin mes të pranishmëve të fundit që iu afruan arkivolit të zonjës Ginsburg për t’i dhënë lamtumirën në një ceremoni relativisht të shkurtër dhe solemne në Sallën Kombëtare të Statujave të Kapitolit. Pasi Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi tha se kishte “nderin e lartë të mirëpriste gjykatësen Ruth Bader Ginsburg që t’i bëheshin homazhe shtetërore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, rabinia Lauren Holtzblatt mbajti eulogjinë.

“Gjatë gjithë ditëve të jetës së saj ajo ndoqi drejtësinë. Edhe e sëmurë, ajo ndryshoi kursin e ligjit amerikan,” tha Holtzblatt. “Dhe edhe kur pikëpamjet e saj nuk fituan, ajo nuk e ndali luftën”. Arkivoli i zonjës Ginsburg arriti nga selia e Gjykatës së Lartë tek sheshi para Kongresit.
Pasi arkivoli u zhvendos brenda, në sallë u mbajt një ceremoni private për familjen e saj dhe të ftuarit, ku arkivoli i saj u vendos mbi të njëjtën platformë druri të ndërtuar për arkivolin e Presidentit Abraham Lincoln pas vrasjes së tij në 1865.

Edhe kandidatja për nënpresidente, senatorja Kamala Harris, bëri homazhe në ceremoninë kur mori pjesë një numër i kufizuar të ftuarish për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ligjvënësit që nuk u ftuan në ceremoninë private do të mund të bëjnë nderimet e tyre deri në mbrëmjen e së premtes.
Gjykata e Lartë tha përmes një deklarate, se zonja Ginsburg, e cila është gjithashtu personi i parë hebre që nderohet me homazhe shtetërore në Kapitol, do të varroset javën e ardhshme në një ceremoni private në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit.

Arkivoli i saj ishte vendosur për dy ditë në Gjykatën e Lartë për homazhe. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe gruaja e tij, Melania, shkuan të enjten në Gjykatën e Lartë për të shprehur nderimet për anëtaren e gjykatës më të lartë të vendit Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq të premten e kaluar.

Presidenti, i cili kishte vënë maskë, nuk bëri komente ndërsa qëndroi para arkivolit të zonjës Ginsburg, vendosur para ndërtesës së gjykatës.
Ai u prit me reagime pakënaqësie nga njerëzit që kishin shkuar të nderonin gjykatësen dhe me thirrjet “votoni kundër tij”. Nënpresidenti Mike Pence i bëri nderimet për zonjën Ginsburg në Gjykatën e Lartë të mërkurën.

Zonja Ginsburg u nderua të mërkurën me një ceremoni private në Sallën e Madhe të Gjykatës së Lartë, ku morën pjesë familja e saj dhe kolegët e saj anëtarë të gjykatës. Arkivoli i saj u zhvendos më pas para Gjykatës, që publiku të mund të shprehte nderimet deri të enjten në mbrëmje.
Ikona e të drejtave civile Rosa Parks u vendos për nderime në Rotundën historike të Kapitolit pas vdekjes së saj në 2005, një nder që bëhet për qytetarët e shquar.

Zonja Ginsburg vdiq të premten e kaluar në moshën 87 vjeçare nga kanceri i pankreasit, duke mbyllur një mandat 27-vjeçar në gjykatën më të lartë të vendit. Statusi i saj si udhëheqëse e pakicës liberale të gjykatës, së bashku me punën e saj para se të bëhej anëtare, për barazi ligjore për gratë dhe vajzat në të gjitha sferat e jetës së Amerikës, e bëri atë një ikonë kulturore, duke i dhënë asaj pseudonimin “RBG e famshme”.

Vdekja e saj ka ndezur një betejë politike rreth zëvendësimit të saj. Zoti Trump dhe Republikanët e Senatit u zotuan të emërojnë dhe konfirmojnë një anëtare të re të gjykatës, para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, e cila do t’i jepte gjykatës një shumicë të konsoliduar konservatore 6-3. Presidenti Trump njoftoi të martën se do të emërojë kandidaten e tij për postin e përjetshëm të shtunën./VOA

Top Channel