Serbët në Mal të Zi dalin në det, marrin ‘kalanë’ e Budvas: Kisha shënjteron “Bato”-n si hero

25/09/2020 11:13

Ish-opozita proserbe tashmë mazhorancë parlamentare në Mal të Zi përveç marrjes së qeverisë, tashmë ka siguruar dhe kontrollin e qytetit më të rëndësishëm të vendit duke dalë në bregdet-Budvan.

Siç bën të ditur portali i Kremlinit Sputnik, kreu i Listës së koalicionit më të madh fitues, “Për të ardhmen e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiç, mori pjesë në kremtimin e organizuar me rastin e zgjedhjes së Marko Careviç si kyetar i komunës së Budvës.

Gjatë kremtimit, të organizuar në lokalin e Careviç, u këndua kënga e famshme serbe “Tamo Daleko”(Larg), një këngë tipike patriotike serbe e kohës së Luftës së Parë Botërore, ku trupat e Karagjorgjeviçit me ndihmën e Esat Pashë Toptanit kaluan nga Shqipëria e shkuan në Korfuz për të shpëtuar nga ushtria austro-hungareze që pushtoi Beogradin..

Priftërinjtë e Mitropolisë së Kishës Serbe të Malit të Zi shenjtëruan ndërtesën e komunës së Budvës me anë të një ceremonie solemne.

Marko Careviç (në foton lart) që thirret me nofkën Bato është një milioner, biznesmen ndërtues, serb i lindur në Kotorr që është edhe president i ekipit të futbollit OFK Grbal të Kotorrit dhe ka shërbyer si kryetar i komunës së Budvas dhe një vit më parë. Në Mal të Zi kreu i komunës nuk zgjidhet direkt por nga këshilli. Mbi Baton ka disa procese të nisura për korrupsion dhe abuzime me tenderat publikë.

“Për mua, është një përgjegjësi e madhe të punoj në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve për katër vitet e ardhshme, dhe çdo ditë do të përpiqem të justifikoj besimin e madh që u tregua për mua nga zgjedhjet”, tha Bato./gazetashqip/

Top Channel