Donald Trump, në një nga konferencat e përditshme për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, më 17 prill, bëri parashikimin e tij për numrin e amerikanëve që mund të humbisnin jetën nga sëmundja.

“Ne duket se do të shkojmë drejt 60 ose ndoshta 65 mijë viktimave”, tha ai. Sidoqoftë, parashikimi i tij për një total prej 60 mijë viktimash, është kaluar që më 1 maj, dy javë pasi ai e bëri atë. në fund të atij muaji u kaluan 100 mijë viktimat. Tani, më pak se katër muaj më vonë, shifra është dyfishuar sërish dhe virusi ka marrë më shumë se 200 mijë jetë njerëzish, pa dhënë sinjale se mund të ndalet shpejt.

E pas këtij rekordi, Donald Trump thotë se 200 mijë viktima janë për të ardhur keq por mund të kishin qenë rreth 2.5 milionë viktima nëse ai nuk do të kishte marrë masa.

Me vjeshtën që ka nisur, kur moti më i ftohtë do të mbyllë miliona njerëz në ambjente të mbyllura, ku virusi mund të shpërndahet më lehtë, dhe me kthimin e universiteteve që mund të veprojnë si inkubatorë gjigant të sëmundjes, SHBA duket se po shkon drejt shifrave të tjera të frikshme. Thjeshtë nuk ka asnjë shans për ta mbajtur nën kontroll infektimin kur rastet e reja vazhdojnë të jenë rreth 35 mijë në ditë.

Ndërkohë që shumë shpresa janë vendosur tek vaksina, ku qeveria federale ka këmbëngulur shumë për një miratim të shpejtë. Vetë Trump e lancoi operacionin vaksina e shpejtë në maj dhe që atëherë ka premtuar në vazhdimësi për akses tek ajo para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Top Channel