Me një fjali të vetme në komunikimin e saj zyrtar ministria e Jashtme greke ka njoftuar pasditen e së martës se do të fillojë bisedimet me Ankaranë. “Greqia dhe Turqia ranë dakord për fillimin e ciklit të 61 të bisedimeve eksploruese midis dy palëve në Stamboll së shpejti”- thuhet në deklaratë.

Bëhet fjalë për bisedime që zhvillojnë të dy vendet në lidhje me mosmarrëveshjet që kanë, ku secila palë deklaron pozicionimet e saj dhe kërkon të mësojë synimet e palës tjetër. Ndërsa edhe ministria e Turke e Mbrojtjes njoftoi se takimi i pestë teknik midis delegacioneve greke dhe turke në selinë e NATO-s ka përfunduar dhe takimet e reja do të zhvillohen javën e ardhshme.

Athina zyrtare deklaron se e vetmja mosmarrëveshje që ka me Turqinë është delemitimi i hapësirave detare dhe ZEE mes dy vendeve, ndërsa Turqia nga ana e saj ka hedhur shumë çështje në diskutim. Më herët kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti i Këshillit Europian Charles Mishel zhvilluan një telekonferencë me presidentin turk Erdogan, në kuadrin e përgatitjes së samitit të lartë të BE-së që u shty për në fillim të tetorit, ku një prej çështjeve do të jetë edhe aktiviteti i Turqisë në Mesdheun Lindor.

Megjithëse burimet diplomatike në Athinë shprehën optimiste për këtë zhvillim, përsëri ka një vetëpërmbajtje, pasi presidenti turk nga njëra anë i ka thënë kancelares Merkel se është i gatshëm të fillojë bisedimet me Athinën, nga ana tjetër akuzon Greqinë se ka pozicionime të papranueshme për kufijtë detar në Egje dhe Mesdhe.

Madje ndryshimi i qëndrimit të Erdoganit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, cilësohet si një lëvizje që ai bën për të shmangur saknsionet e mundshme që mund të vendoste ndaj Turqisë samiti i lartë i BE, për kërkimet për naftë e gaz që ajo zhvilloi javët e fundit në ujërat detare në Mesdheun Lindor të cilat Greqia pretendon së janë nën juridiksionin e saj, veprime që gati sollën një konflikt ushtarak mes dy vendeve.

Zhvillimet e fundit vijnë edhe pas deklaratës që u diskutua shumë në shtypin grek, të ambasadës amerikane në Ankara, për qëndrimin e saj në lidhje me të ashtuquajturën Kartën e Seviljes të cilën SHBA nuk e konsiderojnë që të ketë status ligjor edhe në ditët e sotme. Ndërkohë pritet me interes të veçantë edhe telefonata e udhëheqesit turk me homologun e tij francez Makron, që do jetë edhe biseda e parë pas kritikave me tone të ashpra që kanë shkëmbyer dy liderët për gjendjen në rajon.

Top Channel