Tiranë, investime në infrastrukturë/ Përfundon ndërhyrja në njësinë 7. Veliaj: Po punojmë dhe për Unazën

23/09/2020 15:34

Trotuaret e reja, kanalizimet, ndriçimi dhe sinjalistika i kanë ndryshuar faqen bllokut të pallateve, që njihen si “ish-Nyja e Betonit” në Njësinë 7.

Investimi i Bashkisë së Tiranës është një premtim i mbajtur për banorët e zonës, të cilëve u është rritur edhe vlera e pronës. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se situata ka ndryshuar si nata me ditën dhe katet e para të pallateve, që dikur ishin shkretë, sot janë shitur.

“Kur disa po shqetësohen për listat e deputetëve, ne shqetësohemi për listën e punëve. Lista e punëve është më e rëndësishme se lista dhe renditja e deputetëve. Kush ka sy e sheh se kush është për punë e kush për llogje. Kush është këtu, si në ditë me diell, si në ditë me shi, e kush është në plazh, si në diell e si në shi, dhe hallin më të madh e ka ku do jem në listë dhe jo ku është lista e punëve që do të bëjmë për qytetin. Në fund, qytetarët vlerësojnë listën e punëve, siç do mbahet mend që ata që merren sot me listat e deputetëve, nuk bënë asnjë punë kur drejtonin Tiranën”

Kryebashkiaku sqaroi edhe çështjen e punimeve në Unazë, duke siguruar familjet që preken nga projekti, se do të marrin ose kompensim ose një strehë.

Kush ka letra, do të marrë kompensimin sipas të gjitha rregullave të shtetit dhe vlerës së tregut. Kush ka nevojë për strehim, do të ndërtojmë në buzë të projektit të ri, por jo në buzë të Lanës, por të rrugës së projektit të ri, pallate dhe banesa për të akomoduar të gjithë ata banorë që do ikin nga një favela në buzë të Lanës, që në ditët me shi si kjo e sotmja përmbytet. Projekti jo vetëm që nuk është hall, por është zgjidhje. Unaza do të zgjatet, siç po zgjatet në Shkozë. Asnjë familje nuk do të ngelet jashtë: ose do kompensohet, nëse zgjedhim kompensimin, ose do marrin apartamente”.

Top Channel