“S’jemi afër zgjidhjes politike”- Vuçiç: Ka një rrugë të gjatë deri në normalizim me Kosovën

23/09/2020 01:28

Aleksandar Vuçiç, i minimizoi shpresat se marrëveshjet për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, mund të çojnë së shpejti në një marrëveshje politike me Kosovën. Me marrëveshjen e firmosur në Washington në 4 shtator, Kosova dhe Serbia ranë dakord që të ndërmarrin hapa drejt bashkëpunimit ekonomik, duke përfshirë punën në projekte të përbashkëta të infrastrukturës.

Por në një deklaratë për Reuters, Vuçiç i përshkroi marrëveshjet e Uashingtonit si një hap i madh në drejtim të duhur, megjithatë tha se ka një rrugë të gjatë deri te normalizimi politik. “Mendoj se marrëveshjet e tilla janë shumë të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe për t’i zgjidhur, njëherë e përgjithmonë, problemet tona, për të pasur të ardhme të qartë për fëmijët tanë. Nuk po them sidoqoftë se jemi afër një zgjidhjeje politike”, u shpreh ai, edhe pse e përshkroi bashkëpunimin ekonomik si “çelës” të çdo marrëveshjeje politike në të ardhmen.

Marrëveshjet për normalizimin ekonomik janë nënshkruar nga Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Dy palët nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, ndaloi dhe në Prishtinë një ditë më parë delegacioni i Qeverisë amerikane, i udhëhequr nga Drejtori Ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në Shtetet e Bashkuara (DFC), Adam Boehler, i cili pas Kosovës ndaloi në Beograd për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren e këtij shteti, Ana Bërnabiç. Në delegacion përfshihet edhe i dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për negociatat Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Top Channel