I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi Richard Grenell deklaroi në Beograd se marrëveshja e arritur në 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë “nuk është vetëm fjalë në letër”.

Grenell i bëri këto komente gjatë vizitës se tij ne kryeqytin serb ku mbërriti pas ndalesës në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed.

Dhomat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë ranë dakord të krijojnë një grup pune, i cili do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së 4 shtatorit, si dhe të ofrojnë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës. Grenell ritheksoi dhe një herë, thotë VOA, se marrëveshja nuk do të ishte bërë e mundur pa presidentin Donald Trump i cili sipas tij besoi se mund të bëhet diçka ndryshe.

“Ajo që bëmë në Uashington duket e madhe dhe është e madhe. Por ne nuk kemi mbaruar. Ne duam që populli i Serbisë të na kërkojë llogari, se fjalët në letër nuk janë të mjaftueshme derisa të krijohen vende pune masive, zhvillim ekonomik, shpresë dhe familje që qëndrojnë në këtë rajon”, tha ai duke nënvizuar se marrëveshja e Washingtonit do të përmbushet.”Këto nuk janë vetëm fjalë në letër. Këto janë pune. Punë për rajonin, punë për njerëzit. Dhe kjo është ajo në të cilën Presidenti Trump ka besuar që nga fillimi”- u shpreh ambasadori.

Top Channel