Violinisti” një film dedikuar fëmijërisë, pafajësisë, Gjirokastrës e që njëkohësisht është një memorie për skulptorin Arben Bajo pak javë pasi ai u nda nga jeta sapo përfundoi xhirimet në Gjirokastër.
Regjisori Saimir Bajo tregon se filmi është një autobiografi që është modifikuar artistikisht për të sjellë më shumë se thjesht një histori personale. Në qendër të filmit qëndron familja Bajo, vetë regjisori në hapat e parë si violinist, i vëllai Arbeni që gjithashtu vjen në rolin e tij si nxënës në shkollën e muzikës i apasionuar pas klarinetës, mësuesit, babai, nëna, gjyshja, miqtë, mbresat dhe emocionet e fëmijërisë.
Spartak Papadhimitri drejtori i fotografisë thotë se “Violinisti” nuk është një film për fëmijë por ai zgjon nostalgjinë e fëmijërisë tek shikuesi dhe sjell imazhe të rralla të mjedisit ku zhvillohen ngjarjet që vetëm Gjirokastra ti ofron.
“ Sido që ta xhirosh filmin ai do dali bukur. Me Gjirokastrën të bukur dhe me aktorë kaq profesionistë ai do t’ja arrijë qëllimit dhe besoj se do të marrë çmim se është Gjirokastra në këtë mes.”
Vetë regjisori Bajo tregon se e ka jetuar me shumë emocion dhe mall këtë kthim disa javor tek fëmijëria e tij, tek shkolla, shtëpia gjërat që mund të kishin qenë ndryshe e që në një farë mënyre arti dhe filmi ti mundëson.
“Gjirokastra ishte i vetmi qytet që i përshtatej kësaj historie sepse është një histori edhe personale edhe universale. Beni është personazhi që interpreton vëllain e Altinit e që në fakt është vëllai im Arben Bajo që ne shkurt i thoshim Beni. Doja ta përfundoja filmin edhe për të. Ky motiv më dha forcë dhe është një fat i madh që ta kujtoj Benin, është një memorie për të dhe mesazhi përtej fatkeqësisë është të vazhdojmë jetën e ta duam atë.”
Pjesë e filmit “Violinisti” janë një kastë aktorësh të njohur si Herjon Mustafaraj në rolin e babait, në rolin e nënës Mirela Naska ndërsa disa aktorë nga Gjirokastra si Mimoza dhe Ilir Lluri ju bashkuan filmit gjatë xhirimeve në qytet për ti dhënë siç thotë regjisori ngjyra vërtetësie historisë që mund të ishte e çdo familjeje.
Top Channel