Historia e bonove ndahet në dy drejtime kryesore: çfarë ndodhi më bonot pasi u shpërndanë në duart e qytetarëve dhe së dyti, çfarë fati patën kompanitë e privatizuara.
Imagjinoni situatën në një familje shqiptare të vitit 1995. Njerëzit akoma nuk e dinin çdo të thotë biznes e aq më pak se çfarë do të thotë të blije në ankand aksione të një kompanie më bono privatizimi. Kështu, gjëja e parë që ndodhi ishte që ata filluan ti shisnin bonot në tregun e zi me vlerë shumë më të ulët.
“Njerëzit sigurisht me intuitën dhe natyrën e tyre praktike u priren më tepër drejte përfitimit afatshkurtër. Pra menduan ne kemi mundësi që këtë bono ta tregtojmë, unë nuk marr vesh nga blerja e ndërmarrjes, te pres unë sa te dale në treg ndërmarrja, te bëhem aksioner, po sa te investoj, sa te nxjerri ndërmarrja fitimet e para, më mirë po e shes bonon sot, me një vlerë të skontuar, më poshtë vlerës së tregut dhe po i marr këto para aq sa më takojnë ti marrë”, tregon Elvin Meka, ekspert i ekonomisë.
“Pra ajo që nuk ndodhi dot në shtet, ndodhi në privat. Ata që humbën shpresën për ti përdorur, ato i shisnin me vlerë simbolike në tregun e zi. Ndërsa ata që kishin likuiditete të lira filluan ti mblidhnin ato”, tregon Arbën Malaj, Ish Ministër i Financës.
Tregtia me bonot e privatizimit filloi të lulëzonte në tregun e zi. Kambistët bënin blerje në sasi të mëdha dhe i shisnin tek ata që donin të privatizonin diçka.
“Kush kishte ca para të mira në dorë, tani shkonte blente ca para të tjera, me letra me vlerë, për ti rishitur tek ato që realisht do ti privatizonin ndërmarrjet”, thotë Dashamir Shehi, zv. Kryeministër 1994-1996
Top Channel