Në debatet e kuvendit të Shqipërisë në vitin ‘95 deputetja socialiste e asaj kohe, Ermelinda Meksi e ngriti pikërisht këtë shqetësim. Ajo kërkonte që vlera e bonove të mbrohej me një ligj të posaçëm nga parlamenti. Që ato kur të dilnin në treg të mos u humbiste vlera.

Ky shqetësim i zonjës Meksi ishte si një profeci e cila u përmbush pak kohë më pas. Bonot me tu hedhur në treg e humbën vlerën e tyre.
Arsyeja pse e humbën vlerën nuk ishte vetëm fakti që njerëzit nuk kishin vizion për biznes. Por edhe për një lojë të pisët që bëri vete qeveria demokratike. Shteti nxori në treg bonot, por ndërmarrjet i nxori për privatizim shumë me vonesë.

“Bonot filluan të tregtoheshin në fillim me 25 – 27 % të vlerës nominale. Dhe u katandisën në 1.5 %. Pse ? Sepse u hodhën bonot në qarkullim dhe nuk u hodhën ndërmarrjet. 97 ndërmarrje janë privatizuar më bono në atë periudhë dhe këto u hodhën me vonesë. Pra, në ekonomi njihet si kërkesë – ofertë. Ishte oferta e parasë, para privatizimi, por nuk kishte se çfarë të blinin me këto para gjer sa tregu u mbyll”, tregon Fatmir Mema, ekspert i ekonomisë.

“Fatkeqësia kjo është sepse kur tashmë kishte në treg miliarda lekë në vlerë nominale të bonove, ndërkohë procesi i privatizimit nuk kishte filluar akoma, kishte një presion të madh në treg për ti këmbyer”, tregon Elvin Meka, ekspert i ekonomisë

Kjo është tabela se si ka lëvizur çmimi i bonove të privatizimit në tregun e zi nga janari ‘96 në maj të vitit ‘97. Nga muaji në muaj vihet re një rënia drastike e çmimit. Nga 25 % e vlerës nominale ato brenda vitit shkuan në 1.5 %.

Këtu duhet të bëjmë një sqarim. Vlera e bonove ra ndjeshëm vetëm në tregun e zi. Ndërsa në proces privatizimi ato njiheshin me vlerën 100%. Ata që arrinin të futeshin në privatizim dhe kishin informacion e duhur për ankandet kishin përfitime të mëdha nga kjo skemë.
“Ata që kishin dijeni të kësaj loje sepse shikonin edhe vendet e lindjes, ata e dinin shumë mirë që unë mora 200 mije lekë, ose 20 mijë lekë. Duke i shitur me 3 % unë merrja vetëm 6 mijë lekë. Atëherë ata ma blinin mua 6 mijë lekë dhe kur shkonin blinin ndërmarrje e përdorin për 20 mijë lekë. Pra e blenin për 6 dhe e tregtonin për 20”, tregon Fatmir Mema, ekspert i ekonomisë.

Pra, tregu i zi i bonove solli përfitime për ata njerëz që ishin afër politikës. Imagjinoni vitin ‘95 kur nuk kishte as internet, as televizione. Ndërmarrjet shtetërore dilnin në ankande që askush nuk i merrte vesh. Vetëm disa njerëz që kishin informatorë brenda politikës kur merrnin vesh se do bëhej një privatizim shkon dhe grumbullonin bonot në tregun e zi me vlerë shumë të vogël.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA