Rrëmbehet i vdekuri nga Covid-19/ Maqedoni e Veriut, familjarët mësyjnë në spital dhe marrin trupin e 49 vjeçarit

22/09/2020 01:16

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, ku një i vdekur është rrëmbyer nga spitali prej familjarëve të tij. Viktima ishte shtruar në gjendje të rëndë, me temperaturë të lartë, presion të lartë të gjakut dhe ethe. Drejtori i spitalit në qytetin e Strumicës, Naqe Gogov tha për mediat se një grup prej 20 personave kanë arritur të hyjnë në ambjentet e brendshme të qendrës spitalore dhe e kanë nxjerrë me gjithë krevat 49 vjeçarin e pajetë.

“Stafi i spitalit nuk mundi të bënte asgjë pasi ishte një turmë e madhe. Drejtuesit e spitalit iu shmangën incidentit ndërsa rastin e paraqitën në polici”, deklaroi Gogov. Mjekët nuk kishin arritur ta testonin pacientin për koronavirus, por bazuar në simptomat dhe gjendjen e rëndë shëndetësore, ata besojnë se ai ka qenë i prekur.

Megjithatë testimi do të bëhet me asistencë të policisë, pasi familjarët nuk do të mund ta varrosin per çdo rast pa lejen e institucioneve përkatëse. Në Maqedoninë e Veriut edhe në raste tjera janë testuar persona pas vdekjes. Strumica është në mesin e qyteteve me numër të lartë rastesh. Ndërkohë më rajonin e Velesit është regjistruar viktima më e re nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Në Klinikën Infektive në Shkup ka ndërruar jetë një 22 vjeçar nga Sveti Nikolla.

“Kjo duhet të na shqetësojë, sepse në dhjetë ditët e fundit, sipas shifrave të Qendrës për Shëndet Publik nga Velesi, kemi 31 raste të reja me COVID-19 , që është një rritje serioze. Prandaj është me rëndësi të madhe që të respektojmë rekomandimet për mbajtjen e maskës dhe të distancës” ka deklaruar prefekti i Velesit, Ace Kocevski. Në Maqedoninë e Veriut u regjistruan së fundi 7 vdekje te reja dhe 45 infektime.

Top Channel