Prokuroria e Specializuar: OVL e UÇK-së, e përfshirë në aktivitete që minojnë administrimin e drejtësisë

22/09/2020 20:54

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Tri herë këtë muaj, OVL e UÇK-së ka thënë se ka pranuar disa dokumente, që pretendon se kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumentave nuk është e qartë dhe nuk dihet nëse ato janë origjinale.

Identiteti i personit, i cili, sipas OVL-së, ka dërguar në këtë organizatë “mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh”, vazhdon të jetë anonim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ndërkohë, i ka nisur hetimet për “rrjedhjen” e këtyre dokumenteve të pretenduara konfidenciale.

Në një deklaratë për media, të lëshuar të martën nga zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, thuhet se kjo zyrë “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht me forcë individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre“.

“Gjatë kësaj kohe unë kam vënë re gjithashtu profesionalizmin e lavdërueshëm dhe integritetin etik të gazetarëve të Kosovës dhe komentatorëve të tjerë publikë, shumë prej të cilëve kanë folur qartë se si aktivitetet e tilla minojnë sundimin e ligjit dhe kursin e drejtësisë“, tha Bennett.

Dhomat e Veçanta – apo, siç njihen në Kosovë, Gjykata Speciale – merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Selia e Gjykatës Speciale është në Hagë.

Deri më tani, ajo ka ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në muajin korrik, në Hagë është intervistuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Paraprakisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se, në prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Gjyqtari ka gjashtë muaj kohë, nga prilli, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Prokuroria ka paraqitur aktakuza për shqyrtim edhe në muajin shkurt./REL

Top Channel