Sot bëhet plot një vit nga tërmeti i 21 shtatorit dhe rreth 10 muaj nga goditja e dytë që mori vendi më 26 nëntor që lanë pas pasoja të mëdha në humbje jetë njerëzish dhe dëmtime në banesa në shumë qytete të vendit.”

Kombinati rezulton një nga zonat më të prekura nga dy tërmetet, ku dhjetëra shtëpi janë shembur plotësisht e shumë blloqe pallatesh janë dëmtuar rëndë duke u shpallur të pabanueshme nga autoritetet.

Por, pavarësisht kësaj disa prej qytetarëve të kësaj zone mes frikës dhe panikut vijojnë të banojnë ende në këto ndërtesa, edhe pse shprehen se kanë përfituar bonusin e qirasë nga Bashkia e Tiranës.

“Kemi investuar këtu, nuk mund të largohemi. Kemi frikë, por çfarë të bëjmë. Bonusin e qirasë e kemi marrë, por nuk duam të lëvizim që këtu”, shprehen banorët.

“Emergjenca e krijuar nga dy tërmetet ka vënë në lëvizje qeverinë për hartimin e një projektligji që synon disiplinimin e ndërtimeve në vend dhe njëherazi parashikon gjoba të ashpra për ndërtuesit që shkelin ligjin. Drafti ka mbërritur në Kuvend dhe po shqyrtohet nga deputetët në Komisionet Parlamentare.”

Nga 1 deri në 3 milionë lekë sipas rastit variojnë gjobat sipas ligjit të ri për shkelësit e legjislacionit, teksa sipas ligjit aktual penalitetet aplikoheshin në vlerën e 50 mijë deri në 2 milionë lekë.

Ndëshkime parashikohen edhe për shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe veprimtarinë e të gjithë grupit të punës përfshirë zbatuesit, mbikëqyrësit apo drejtuesit teknikë nga paralajmërimet  e vërejtjet me shkrim e deri në heqje të licensës për ushtrimin e profesionit.

Ndër të tjera drafti parashikon ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë punimet gjatë procesit të ndërtimit si dhe krijimin e një regjistri elektronik të profesionistëve të licensuar, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e planifikimit, zhvillimit dhe disiplinimit të punimeve të ndërtimit.

 

 

Top Channel