Arrestime për lojërat e fatit/ Kosovë, në pranga edhe 12 policë të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm

20/09/2020 12:44
Ilustrim

Prokuroria Themelore e Gjilanit njoftoi se ndaj 35 personave të dyshuar, të cilët u ndaluan gjatë aksionit blic në fshatin Karaçevë, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh.

Mesnatën e së premtes, policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit dhe Inspektoratin Policor, ka vënë në pranga 35 persona, në mesin e të cilëve edhe 12 zyrtarë policorë, të përfshirë në aktivitete kriminale, si dhe ka sekuestruar aparate të lojërave të fatit dhe prova materiale.

Gjatë këtij aksioni, u mbyllën dhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit. Lëvizja erdhi pas një viti hetimesh sic sqaroi Prokuroria e Gjilanit. Marsin e 2019-tës, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm, duke shfuqizuar legjislacionin ekziston për këto lojra.

Vendimi për mbylljen e tyre erdhi pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona. Policia e Kosovës thotë se në aksione të ndryshme, ka ndaluar një sërë personash që dyshohet se me qëllim përfitimin e pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra fati.

Top Channel