Moti në Greqi vazhdon të jetë i paqëndrueshëm, ndërsa Mbrojtja civile greke u ka dërguar mesazh banorëve të zonës ku paralajmërohen të mos dalin pa arsye dhe të qëndrojnë në zona të ngritura për të shmangur përmbytjet.

Pamjet që shihni në video janë nga ishulli Elafonisos, ndërsa dy jetë të humbura, një bari 64 vjeç nga Shqipëria dhe një e moshuar në fshatrat e Kardhitsës dhe Farsalës, si dhe një 40-vjeçare e zhdukur është bilanci tragjik i kalimit të ciklonit mesdhetar “Ianos” nga ishujt grekë të detit Jon dhe zonat e Greqisë Perëndimore e asaj Qendrore.

Pamjet dramatike të orëve të para të mëngjesit të së shtunës tregojnë kudo rrugë të shkatërruara, ura të shembura, shtëpi të përmbytura, pemë të shkulura dhe të thyera, skafe të mbytura, automjete të mbuluara me gurë e baltë, dëme të pallogaritshme në ndërtesa, infrastrukturë dhe të korra, ndërsa ka ndërprerje të energjisë elektrike në Kardhitsa, Magnezi, Fthiotida, Qefaloni, Itakë dhe Lefkada.

Në fshatrat Lefki dhe Orfana në prefekturën e Karditsës, është bërë thirrje për evakuim, ndërsa mediat greke publikojnë dhjetëra fotografi dhe video që dërgojnë banorët e zonave të dëmtuara. Për dallgë mbi 10 metra dëshmojnë banorë të ishullit të Zakinthos, ndërsa edhe në Lefkadha dhe Itakë fenomeni i tejskajshëm meteorologjik ka shkaktuar dëme kolosale dhe ka detyruar organet greke të shpallin gjendje të jashtëzakonshme për tre ishujt e Jonit.

Top Channel